Emri ‘Ismail Qemali’, rektori i Vlorës largon dekanen
Vendimi për ndëshkimin e dekanes u mor nga Këshilli i Etikës së Universitetit "Ismail Qemali". Në motivacionin përkatës thuhet se Arta Musaraj fyeu personalitetin e figurën e rektorit"
VLORE Pas përplasjeve të shumta publike, Tanush Shaska, rektori i Universitetit "I.Qemali" në Vlorë "kopsiti" letrat dhe shkarkoi dje nga puna Arta Musarajn, dekane e Fakultetit të Drejtësisë, një nga kritiket pa kompromis në aventurën e Shaskajt për heqjen e emrit të Ismail Qemalit këtij universiteti. Në motivacionin përkatës thuhet se, Musaraj "ka fyer personalitetin dhe figurën e rektorit, nuk ka zbatuar hierarkinë akademike, ka cenuar emrin e universitetit dhe stafit akademik, si dhe ka bërë deklarime dhe publikime nisur nga interesa personale, me objekt denigrimin e imazhit të universiteti". Burimet zyrtare nga Rektorati pohojnë se "gjithçka u bë konform rregullave, me vendimin përkatës të Këshillit të Etikës në Universitet". Ndërsa për të shkarkuarën Musaraj, gjithçka është e paligjshme dhe hakmarrje. Në pritje të firmës përfundimtare të ministrit të Arsimit për Musarajn, në vend të saj dje Shaskaj komandoi mjekun Dorian Tozaj. Po dje, ka dhënë dorëheqje nga detyra dhe shefja e Departamentit të Infermierisë, Afërdita Nika duke u zëvendësuar (e komanduar) nga mjeku Hito Jazaj.
NDËSHKIMI
Burime zyrtare konfirmojnë se ka qenë vetë rektori Shaskaj që i ka dërguar më datë 13 të këtij muaj, një kërkesë-ankesë Këshillit të Etikës në Universitet, me 4 argumente kryesore për shkarkimin e dekanes Musaraj. Njëkohësisht, në këtë Këshill, paralelisht e pothuaj me të njëjtat argumente (më datë 14 nëntor), ka vajtur dhe një shkresë tjetër e firmosur nga vartësja e Shaskajt, zëvendësrektorja Pranvera Jahollari. Argumentet e tyre u morën dje në analizë nga Këshilli prej 7 anëtarësh, ku u vendos dhe shkarkimi i dekanes. Pas mbledhjes, vendimi i vajti për firmë rektorit.
KONFLIKTI
Përtej argumenteve të mësipërme, konflikti mes rektorit Shaskaj e dekanes Musaraj është i hershëm, që në momentin e zgjedhjes së titullarit të Universitetit. Por gjithçka u acaruan së tepërmi me propozimin e Shaskajt për heqjen e emrit "Ismail Qemali" nga emblema e Universitetit, vendim i cili u kundërshtua ashpër nga Musaraj e një opinion shumë i gjerë në Universitet e jashtë tij. Nuk kanë munguar edhe rastet ku dy rivalët janë shfaqur në aktivitete të njëjta, siç ishte dhe nderimi i dy shikasve të masakruar në vitin 1997, por pas kësaj ngjarjeje, mes Musarajt dhe Shaskajt nuk pati më paqe. Ndonëse shumë herë rektori Shaskaj është akuzuar publikisht si shkaktar i disa problemeve në universitet nga dekania Musaraj, ai ka evituar përballjen, por është mjaftuar me përgjigje vetëm në faqen zyrtare të institucionit në universitet. Mes të tjerave, në hakmarrjen e fundit ndaj Musarajit, përflitet dhe fakti që ajo ka qenë në mbështetje të protestave studentore për ndryshimin e rregullores së universitetit. Vendimet e djeshme kanë krijuar një klimë jo të mirë në mjediset universitare e në opinionin vendas.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)