E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rama të fitojë me zgjedhje të lira”

 

Në një kohë kur edhe kryeministri Sali Berisha nuk ka komentuar më procesin zgjedhor në Partinë Socialiste, këtë po e bëjnë tashmë forcat e vogla politike. Sekretari i Përgjithshëm i PBDNJ-së, Leonard Solis, ironizoi dje në një konferencë për shtyp zgjedhjet në PS, duke thënë se prej pesë muajsh dihet që Rama do të jetë kryetar i kësaj force. Gjithsesi, sipas tij, duhet që kreu aktual i PS-së të zgjidhet përmes zgjedhjesh të lira dhe të ndershme. “Zgjedhjet në PS po bëhen si puna e dasmave shqiptare, ku të gjithë e dinë se nusja është 5 muajsh shtatzënë dhe shpejt do lindë. Ka 5 muaj që dihet që kryetari i Partisë Socialiste do të jetë Edi Rama, por të paktën procedura të bëhet e lirë dhe e ndershme dhe le ta rifitojë”, u shpreh Solis. Por në të njëjtën kohë edhe një tjetër forcë politike ka komentuar zgjedhjet në PS. Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka tha dje se, Rama duhet të rimarrë edhe njëherë postin e kësaj partie, pasi sipas tij është i vetmi që mund të mundë kryeministrin Sali Berisha. “Edi Rama është figura dhe personaliteti i vetëm politik, i cili mund të bëjë një opozitë të fortë ndaj një kryeministri bolshevik si Sali Berisha. PS-ja ka detyrën madhore të jetë pasqyra reale e qeverisë në kushtet kur pluralizmi parlamentar është zhdukur për shkak të këtij Kodi Zgjedhor”, theksoi Ndoka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›