E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërhiqet Universiteti i Vlorës, regjistrohen studentët fitues



Problemi i mbetur ende pezull në Universitetin e Vlorës, ai i regjistrimit të fituesve me mesatare nën gjashtë, është zgjidhur dje pas një marrëveshjeje të arritur ndërmjet Universitetit të Vlorës dhe Ministrisë së Arsimit. Në këtë mënyrë, fituesit me mesatare nën gjashtë kishin mundësinë të regjistroheshin gjatë ditës së djeshme, pas një urdhri të marrë nga rektori i UV-së, prof. dr. Tanush Shaska. Si këmbim, sipas z. Shaska, Ministria e Arsimit ka premtuar që gjatë viteve të ardhshme nuk do të shpallë fitues për këtë universitet maturantë me mesatare nën 6.

“Me aprovimin e ministrit të Arsimit, ne sot kemi shtytur regjistrimin e maturantëve deri në orën 17:00. Kjo është vetëm për ata maturantë me mesatare nën 6, të cilët nuk janë paraqitur për të shkruar emrat. Të gjithë të tjerët nuk ka nevojë që të vijnë më për t'u paraqitur sot”, – bën të ditur në faqen zyrtare të Universitetit të Vlorës, rektori i këtij institucioni, prof. Tanush Shaska.

Por duket se ky vendim është një marrëveshje mes Universitetit të Vlorës dhe Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës. Sipas prof. Shaskaj, vendimi i marrë prej tij është një marrëveshje me ministrin Tafaj, sipas së cilës, Universiteti i Vlorës do të pranojë këta studentë gjatë këtij viti akademik, porse gjatë vitit të ardhshëm nuk do të pranohet asnjë studentë me mesatare nën 6.

Rektori Shaska sqaron se “ministri i Arsimit dhe Shkencës, Prof. Myqerem Tafaj, na ka dhënë garanci të plotë se të gjitha kushtet e vëna nga UV për pranimet do të respektohen me rigorozitet në vitin në vazhdim. Në frymën e bashkëpunimit me MASH unë kam dhënë urdhër që regjistrimet të vazhdojnë edhe sot për të gjithë ata maturantë që nuk janë paraqitur gjatë javës”.

Në këtë deklaratë publike, rektori Shaska ka hedhur poshtë përgjegjësitë që janë vendosur ndaj Universitetit të Vlorës për këtë problem. “Dua gjithashtu të theksoj se në këtë proces UV ka ndjekur me përpikmëri ligjin dhe të gjitha afatet dhe unë në asnjë mënyrë nuk po pranoj se ky ishte një problem i krijuar nga UV”, – bën të ditur në deklaratë rektori Shaska. “Shpresoj që në këtë zgjidhje të problemit të kem mbështetjen e gjithë stafit akademik të UV-së”.

Problemi nisi pas shpalljes së fituesve në universitete. Ndonëse Agjencia e Pranimit dhe Regjistrimit në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL) shpalli listën e fituesve, Universiteti i Vlorës njohu si fitues vetëm ata që kishin mesatare mbi gjashtë, në kundërshtim me udhëzimet e Ministrisë së Arsimit, vendimet e Këshillit të Ministrave dhe legjislacionin në fuqi.

Ministria e Arsimit reagoi menjëherë me anë të një deklarate për shtyp, ku theksoi qartazi se vendimi i Universitetit të Vlorës për të mos pranuar studentë që kanë përfunduar arsimin e mesëm me mesatare nën 6, është i jashtëligjshëm dhe i papranueshëm. Duke e nënvizuar këtë pjesë, njoftimi theksoi se “regjistrimi i studentëve nëpër të gjitha universitetet do të kryhet vetëm sipas listës zyrtare të fituesve të nxjerrë nga Agjencia e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë, APRIAL”.

Ndërkohë që asnjë universitet nuk ka të drejtë të veprojë sipas rregullave të veta, të vendosura në çastin e fundit dhe pa marrë mendimin e ministrisë. “Asnjë IAL nuk ka të drejtë të ndërhyjë në këto lista. Kjo listë është e detyrueshme për t’u zbatuar prej tyre. IAL-të të mos nxjerrin pengesa në regjistrimin e të gjithë kandidatëve fitues brenda afateve të caktuara”, - theksoi ministria.

Edhe pas shkresës së drejtuar nga ministri i sapoemëruar i Arsimit, z. Myqerem Tafaj, qëndrimi i Universitetit të Vlorës nuk ndryshoi dhe asnjë prej këtyre studentëve nuk u pranua të regjistrohej, pa dhënë asnjë shpjegim për këtë vendim.

Tashmë duket se problemi është zgjidhur pas marrëveshjes së arritur ndërmjet ministrit të Arsimit, prof. dr. Myqerem Tafaj dhe rektorit të Universitetit të Vlorës, prof. dr. Tanush Shaska.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›