E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër; I dënuar me 8 muaj burg, arrestohet 25-vjeçari Tafa



Policia e Gjirokastrës arrestoi Sajmir Tafën, 25 vjeç, i dënuar nga Prokuroria e Rrethit me 8 muaj burg në mungesë, për veprën penale të “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit”. Sipas burimeve zyrtare policore, dy ditë më parë, rreth orës 13:30, nga ana e specialistëve të Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër është bërë ndalimi i shtetasit Sajmir Tafa, i datëlindjes 1984, lindur dhe banues në Memaliaj të rrethit Tepelenë. Ndalimi i tij u bë, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër në datën 21.11.2008, ka nxjerrë urdhër ndalimi me nr. 291, për këtë shtetas, pasi Gjykata e Apelit Gjirokastër me vendim nr. 191, datë 21.11.2008, këtë shtetas e ka deklaruar fajtor dhe e ka dënuar me 8 muaj burg në mungesë për veprën penale të “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit”, parashikuar nga neni 298/1 i Kodit Penal. Ky shtetas në vitin 2008 ka ndihmuar për të kaluar kufirin e gjelbër për në shtetin grek në mënyrë të paligjshme 4 shtetas nga rrethe të ndryshme të vendit kundrejt fitimit 1500 euro për person dhe pas këtij veprimi, ky shtetas është larguar në shtetin grek. Shtetasi Sajmir Tafa ishte person i shpallur në kërkim nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe është kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare të Stacionit të Policisë Kakavijë rreth orës 13:00 të datës 04.10.2009, në momentin që ky është paraqitur në sportelin e përpunimit të shtetasve për në hyrje në Shqipëri.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›