Tërhoqi qenin me makinë, gjobë dhe hetim 55-vjeçarit në Shkodër

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Policia e Shkodrës vuri nën hetim një 55-vjeçar pasi tërhoqi zvarrë me makinë një qen.
Policia njoftoi sot, se pas një videoje të publikuar në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një qen që tërhiqet nga një automjet, në fshatin Shtoj i Ri, bëri të mundur identifikimin dhe shoqërimin e drejtuesit të automjetit.
“Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për drejtuesin e automjetit, shtetasin B. H., 55 vjeç, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve”, njoftoi Policia.
Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu policia bashkiake gjobiti 55-vjeçarin që keqtrajtonte qenin.
“Bashkia Shkodër dënon çdo akt dhune ndaj kafshëve dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të tillë për të garantuar mbrojtjen dhe mirëqenien e tyre”, nënvizoi bashkia Shkodër, përmes një njoftimi në rrjetet sociale.
/m.q/a.f/r.e/
