E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërmet i ri në Japoni

Nga Express më 19 mars 2011 në ora 20:40

Një tërmet i fuqishëm prej 6,1 ballë sipas Rihterit ka goditur të shtunën prefekturën Ibaraki në jug të Japonisë, por nuk është dhënë alarm për cunami.

Kompleksi nuklear nuk është dëmtuar nga tërmeti i sotëm dhe nuk ka rrezik nga cunami, ndonëse mund të vijë deri te ndryshimi i nivelit të detit, njoftojnë mediat e huaja.

Agjencia ndërkombëtare për energji atomike (IAEA) në Vjenë ka bërë të ditur të shtunën se radioaktiviteti në reaktorin nuklear “Fukushima Daiçi” në Japoni, e cila pas tërmetit shkatërrimtar ka pësuar avari, është stabilizuar “dukshëm në nivel më të lartë se sa normalja”.

Policia japoneze sot ka publikuar bilancin më të ri, sipas të cilit më shumë se 7.300 persona kanë humbur jetën dhe rreth 11.000 konsiderohen të zhdukur pas tërmetit shkatërrimtar që ka goditur vendin javën e kaluar.

Në tërmetin e fuqisë prej 9 ballë, i cili goditi pjesën verilindore të Japonisë, sipas të dhënave aktuale që posedon policia, kanë humbur jetën 7.348 persona dhe 10.947 konsiderohen të zhdukur.

Ndërtesat në Tokio janë lëkundur nga tërmeti, por nuk raportohet për dëme materiale, ndërkohë që përkohësisht janë suspenduar fluturimet në aeroportin e Tokios, Narita.

Ndërkohë, inxhinierët japonezë kanë lidhur largpërçuesin e rrymës me reaktorin 2 dhe po përpiqen të sjellin rrymën deri tek ai, në mënyrë që sistemi për ftohje serish të funksionojë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Japonisë, Jukio Edano, ka thënë sot se është gjetur shkallë e lartë e radioaktivitetit në qumështin nga fermat që ndodhen rreth 30 kilometra nga reaktori Fukushima, i dëmtuar nga tërmeti dhe cunami, i cili më 11 mars ka goditur Japoninë.

Sipas fjalëve të tij është gjetur nivel i lartë radioaktiv edhe në qumësht dhe spinaq në prefekturën fqinje Ibaraki dhe se ky është rasti i parë i kontaminimit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›