Shënohet Festa e Frankofonisë
Në kuadër të Festës së Frankofonisë, e cila po shënohet në Kosovë, të shtunën në Teatrin Kombëtar në Prishtinë është mbajtur spektakli i shkollave në të cilin morën pjesë 400 nxënës nga qytete të ndryshme të Kosovës.
Me këtë rast nxënës nga shkollat fillore dhe të mesme nga mbarë vendi shfaqën një program të pasur kulturor -artistik në gjuhën frënge.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Zhan Fransua Fitu, është shprehur i kënaqur me punën e bërë nga nxënësit e shkollave.
"Ju keni qenë më tepër se 400 nxënës nga 20 shkolla, të cilët jeni përgatitur që me ardhjen deri në ditën finale me organizimin e kësaj dite të sotme këtu ku jemi, ju të cilët jeni të rinj për të prezantuar dy gjëra, së pari hapjes ndaj botës përmes frankofonisë, sipas gjuhës sime, kulturës sime. Ju falënderoj shumë”, ka thënë ai.
Një fjalë rasti mbajti edhe kryetari i Asociacionit të Profesorëve të Frëngjishtes në Kosovë, Kastriot Sadiku, i cili falënderoi nxënësit dhe Ambasadën Franceze për organizimin dhe programin e shfaqur.
Për më tepër Festa e Frankofonisë është një javë e shënuar ndërkombëtarisht në të cilën prezantohen vlerat e kulturës dhe gjuhës franceze, ndërsa tash e disa vite ka filluar të shënohet në Kosovë me aktivitete të ndryshme. (KP)