E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërmeti godit Turqinë lindore 51 persona humbasin jetën

Goditja ishte e rëndë, por faji për viktimat janë ndërtimet e dobëta

Një tërmet i fuqishëm që ka goditur Turqinë ka marrë jetën e 51 personave në një zonë të largët lindore. Tragjedia ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës, ndërkohë që pasojat e goditjeve kanë vazhduar gjatë gjithë ditës, duke e vështirësuar shumë punën e skuadrave të shpëtimit për të nxjerrë nga gërmadhat personat e ngecur në to. Goditja e shkallës 6 i ka gjetur banorët e Anadollit lindor të gjithë në gjumë. Bëhet fjalë për një zonë shumë të populluar. Përreth ka pasur mjaft panik dhe tmerr nga banorët e kapur në befasi, të cilët janë tronditur edhe më shumë nga befasia dhe ora e një goditjeje të tillë. Turqia është një vend që goditet herë pas here nga tërmete të fuqishme. Një nga më të fuqishmit dhe me pasoja të rënda të kohëve moderne ka qenë edhe ai i gushtit të vitit 1999, si pasojë e të cilit mbetën të vrarë 18 mijë veta. Tërmeti ishte 7 ballësh. Të hënën familjet e tronditura janë përpjekur që t’i mbijetojnë të ftohtit të madh, duke ndezur zjarre e duke u përpjekur të shpëtojnë të afërmit e tyre nga rrënojat. Tërmeti ka shkatërruar minaretë e xhamive. Shumë shtëpi dhe ndërtesa të tjera janë rrafshuar apo bërë të pabanueshme, edhe pse ende nuk ka një shifër të saktë të dëmeve materiale. Ndërkohë që numri i viktimave me siguri që është më i madh edhe ai i të plagosurve nuk është më i paktë. Të plagosurit janë dërguar në një spital në një zonë aty afër. Kryeministri i vendit, Erdogan, u ka bërë thirrje bashkëkombësve të tij të goditur nga fatkeqësia, që të mos shkonin në shtëpitë e goditura, pasi kështu do të rrezikonin jetën. Sipas Kryeministrit, një nga shkaqet e numrit të madh të viktimave janë ndërtimet prej qerpiçi të shtëpive të zonës, të cilat nuk mund t’i bëjnë ballë as goditjes më të vogël. Në vendngjarje kanë ardhur shumë skuadra shpëtimi nga Ankaraja, të cilat kanë synuar që të qetësojnë situatën dhe të strehojnë të pastrehët.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›