Thirrë-Kalimash, një galeri do të hapet në mes të majit
Burime të brendshme të kompanisë që po ndërton tunelin Thirrë-Kalimash, thonë se galeritë janë betonuar gati plotësisht dhe së shpejti mund të vihen në funksionim. Askush nuk jep një datë të saktë, aq më tepër kur tashmë edhe lëvizjet aty janë kufizuar shumë, por mendohet se muaji maj do të shënojë përfundimin e punimeve, duke shënuar ndoshta edhe fillimin e epokës së autostradës. Një pohim të tillë, ndonëse konfidencialisht, e bëri edhe një drejtues i lartë në Ministrinë Transporteve. “Mesi i muajit maj, ndoshta data 15, do të shënojë hapjen e galerisë jugore”, tha zyrtari, i cili u referohej informacioneve nga tuneli. Nga ana tjetër, edhe pas këtij momenti, punimet aty do të vazhdojnë në tunelin e veriut, për të cilin do të ketë ndoshta po aq komente sa edhe për atë të jugut.
I hapur për njerëz “të rëndësishëm”Tuneli i Kalimashit nuk është mbyllur asnjë ditë për pushtetarët dhe rastet e emergjencave shëndetësore. Shembja e galerisë jugore në fund të vitit të shkuar krijoi jo vetëm një mal me interpretime, por edhe një vakum në ritmin e përditshëm të punës, duke bërë që galeria veriore të mbetej pothuajse e lirë. Pas shembjes së galerisë jugore, ndërtuesit mbushën me inerte deri në gjysmën e harkut galerinë e veriut, për t’i bërë ballë presionit të tokës, por mbi të automjetet kalonin pa vështirësi. Mësohet se tuneli është shfrytëzuar nga autoritetet vendore të rajonit të Kukësit, policia, urgjenca e spitalit, si dhe vetë punëtorët e tunelit. Përveç këtyre, në raste të caktuara menaxheri i tunelit, S.Alkan, ka lëshuar urdhra me një përdorim për persona të caktuar të medias apo personalitete publike etj. Madje edhe vetë punëtorët kanë kaluar vetëm mbasi kanë marrë nga Alkan një letër për të depërtuar në tunel. Burime pranë menaxherit thonë se kjo ka qenë një marrëveshje mirësjelljeje informale mes grupit të sigurisë së tunelit, menaxherit dhe policisë, përderisa punimet nuk janë penguar dhe nuk ka pasur telashe.
Abuzimi me lejet e kalimitShpesh herë është abuzuar me lejet e kalimit, duke i shumëfishuar dhe ripërdorur. Një polic i shërbimit në portën veriore tha për gazetën “Shqip” se ai ka toleruar rastet e emergjencave shëndetësore, apo edhe rastet e biznesmenëve të cilët mund të kishin edhe letra të falsifikuara, sepse, siç tha ai, “nuk ishte e lehtë të kontaktoje me Alkanin dhe nuk mund t’i merrje letër nëse nuk kishte motive të forta bindëse, një arsye shëndetësore për shembull, që do të futnin në linjë edhe zyrtarë të lartë”. Ai shtoi se nuk ka qenë në detyrën e tyre, të policisë, të verifikojnë vërtetësinë e letrave dhe se nuk besonte që ky fakt t’i ketë shqetësuar menaxherët e tunelit.
Personat me leje vodhën tunelinDuket se nuk kanë qenë përsëritjet e lejeve apo shumëfishimi i tyre për të kaluar tunelin shkaku që e ka çuar menaxherin Alkan të pezullojë çdo hyrje-dalje në tunel, deri në përfundimin e tij të plotë. Shkaku i vërtetë kanë qenë vjedhjet. Persona të caktuar kanë vjedhur në tunel çfarë kanë mundur, duke ngarkuar bagazhet e makinave, edhe pse kishin hyrë, për shembull për emergjencë shëndetësore. Vetë menaxherët kanë thënë se vjedhja u bë shkak që askush më të mos kalojë në tunel, përjashtuar një kategori të caktuar, shumë të kufizuar njerëzish. Dy javë më parë, në brendësi të tunelit janë vjedhur disa bateri të fadromave të firmës, si dhe vegla pune të ndryshme nga persona që kanë pasur leje për të depërtuar në anën tjetër. Vjedhjet në tunel kanë ndodhur edhe më herët dhe janë denoncuar në policinë e Kukësit. Kjo e fundit pohon se para tri javësh ka arrestuar dy persona nga Kukësi, të cilët kishin vjedhur më shumë se 40 tonë hekur nga tuneli me anë të një kamioni. Por vjedhjet e baterive të makinave të firmës “Bechtel-Enka” ende nuk kanë autorë. Një burim tjetër nga radhët e punëtorëve të sigurisë së tunelit tregon se shkak për “acarimin” e gjendjes është bërë edhe kalimi me forcë i një juristi nga Kukësi, i cili u ka bërë presion policëve të shërbimit që të mos e kthenin mbrapsht. Pas këtyre rasteve policia e rendit dhe vetë kompania ndërtuese kanë vënë postbllok që në Fushë Dukagjin, 7 km larg tunelit.
#