E Shtunë, 31 Tetor 2026

Termeti ne Turqi mbi 200 viktima e qindra te zhdukur

Ushtria turke ka marrë përsipër patrullimin në zonat e goditura më rëndë nga tërmeti i fuqishëm i së dielës, me magnitudë 7.2 të shkallës Rihter, i cili deri më tani ka shkaktuar 260 viktima. Autoritetet e Ankarasë vendosën të rrisin nivelin e sigurisë në Ercis, ndërsa në qytet mbërrijnë të afërmit e viktimave.

Ushtarët kanë bllokuar rrugët për në ndërtesat e shkatërruara e ku mendohet se mjaft njerëz ndodhen ende të bllokuar. Ushtria ka mbajtur larg turmat e njerëzve nga rrënojat, shumica e të cilëve kërkojnë familjarët e tyre të zhdukur.

Ministri i Brendshëm, Idriz Naim Shahin njoftoi për 1,140 të plagosur, 1000 ndërtesa të shkatërruara sidomos në Ercis. Bilanci i viktimave nuk është përfundimtar pasi ekipet e shpëtimit thonë se ka ende njerëz të mbetur nën rrënoja. Janë nxjerrë edhe të mbijetuarit e parë, një djalë 10 vjecar dhe një burrë që kërkoi ndihmë përmes telefonit të tij celular.

Zona e përfshirë nga tërmeti përbën një vend panoramik mbi liqenin Van, të rrethuar nga maja të larta të mbuluara nga dëbora. Një vend me bukuri përrallore, por që tashmë është skenë e një trishtimi të madh, tronditje dhe zije. Përpjekjet e shpëtimit pengohen edhe nga mungesa e energjisë elektrike, që është ndërprerë që të dielën. Më shumë se 200 dridhje pas tërmetit kanë goditur zonën.

E ndërkohë, funeralet e viktimave vazhdojnë në qytetin më të madh të zonës, Van, ku u raportuan edhe shkatërrimet e para.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›