Tërmkolli nuk e padit ministrin Jagcilar

Anëtarja e Kryesisë së AAK-së Melihate Tërmkolli, ka ndryshuar mendje. Ajo nuk pitet ta padisë në gjykatë ministrin e Administratës Publike, Mahir Jagcilar, ashtu siç kishte paralajmëruar muaj më parë.
Fillimisht, Tërmkolli e pati akuzuar ministrin se ka sjellë njerëz nga Turqia për t’i regjistruar si banorë rezidentë të Kosovës, me qëllim që në fund të procesit, numri i komunitetit turk në Kosovë të dalë më i madh sesa që është në të vërtetë.
Ndaj kësaj deklarate pati reaguar Jagcilar, duke thënë se deklarata e Tërmkollit ishte antidemokratike, dhe se ajo tregon se ka urrejtje ndaj minoritetit turk.
Kjo kundërpërgjigje e ministri të Administratës Publike, e pati nervozuar shumë ish-ministren e kësaj ministrie. Tërmkolli, nëpërmjet gazetës “Tribuna”, pati paralajmëruar se do ta padisë ministrin për këto akuza në adresë të saj. Mirëpo gjithçka ka mbetur vetëm deklarative.
Ajo, megjithatë, nuk e ka mbajtur premtimin. Mungesën e padisë, Tërmkolli e ka arsyetuar me faktin se nuk ka arritur ta sigurojë materialin ku ministri Jagcilar e ka akuzuar atë për urrejtje ndaj minoritetit turk.
“Unë nuk kam arritur ta siguroj materialin dhe pa e siguruar atë, nuk kam pasur mundësi që ta bëj padinë”, ka thënë Tërmkolli të dielën.
Ajo ka pranuar se është në mëdyshje nëse tani do ta padiste ministrin Jagcilar, pasi, siç ka thënë vetë, ka kaluar kohë e gjatë nga këto akuza. Veç kësaj, Tërmkolli ka humbur besimin edhe në organet që ndajnë drejtësinë.
“Po ashtu e kam humbur besimin në gjykata. I kam dërguar disa lëndë, por asnjëra nga to nuk ka marrë përgjigje. Të gjithave iu ka dalë afati, ndërsa edhe tani, nëse e dërgoj, do të ndodhte e njëjta gjë”, ka thënë Tërmkolli./Indeksonline/