“Baushtellat” e Kosovës

Mbi 12 mijë veta janë të punësuar në ndërmarrjet publike qendrore të Kosovës, prej të cilave 7500 punojnë vetëm në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Kjo e fundit njëherësh është ndërmarrja publike me numrin më të madh të punëtorëve në vend, pas së cilës radhitet Postë-Telekomi i Kosovës (PTK), me rreth 2400 punëtorë.
Ndërmarrjet publike të Kosovës viteve të fundit janë shndërruar në “çerdhe” të punësimit për militantët e partive në pushtet, duke ndikuar kështu në uljen drastike të fitimeve të kompanive. Në shumë kompani publike më shumë se 50 për qind e shpenzimeve shkojnë vetëm për pagat e punëtorëve e pak mjete u mbeten në dispozicion për projekte zhvillimore.
Nga 2395 punëtorë sa ka gjithsej PTK-ja, 1165 veta punojnë në telekom, e cila nuk është njësia më fitimprurëse e kompanisë, ndërsa në operatorin “Vala” që sjell më shumë të hyra punojnë 944 punëtorë.
Sipas organogramit të PTK-së, 26 punëtorë i ka vetëm zyra e kryeshefit të PTK-së, Ejup Qerimi.Numër të madh të punëtorëve ka edhe Posta e Kosovës, përkatësisht 926 punëtorë, ku gjatë viteve në vijim, sipas planit të biznesit të kompanisë, parashihet rritje e këtij numri.
Kjo kompani vlerësohet ka shumë të punësuar, ndonëse nga shërbimet postare që i kryen nuk siguron të hyra të mjaftueshme. Posta siguron para nga objektet me qira në të gjithë Kosovën, të cilat i shfrytëzon PTK-ja.
Kompania tjetër publike, Operatori i Sistemit Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka 368 punëtorë. Dy kompanitë e hekurudhave “Trainkos” dhe “Infrakos” kanë 510 punëtorë. E para 215 punëtorë dhe e dyta 295. Aeroporti “Adem Jashari” në vitin 2011, i ka pasur 152 punëtorë, pas privatizimit të terminalit nga kompania turke “Limak”.
Ndërrmarrja Hidroekonomike “Ibër Lepenc” ka 247 punëtorë, ndërsa kompania për menaxhimin e mbeturinave ka 49 punëtorë.Muhamet Sadiku, ekspert i ekonomisë, thotë për “Zërin” se në sektorin qendror, lokal dhe kompanitë publike të Kosovës janë të punësuar rreth 78 mijë veta.
Ky numër i të punësuarve në këtë sektor, krahas numrit të përgjithshëm të banorëve në vend prej 1.8 milion, është shumë i lartë.
“Sllovenia ka banorë sa Kosova dhe në sektorin qendror, lokal dhe në kompani publike i ka të punësuar 25 mijë veta, ndërsa ne i kemi rreth 80 mijë të punësuar”, shprehet Sadiku.
Sipas tij, kompanitë publike në vazhdimësi po atakohen nga punësimet e reja dhe shpeshherë të panevojshme, e cila gjë po ndikon në uljen e vlerës së këtyre kompanive para privatizimit.
“Të gjitha partitë që vijnë në pushtet në Kosovë vrapojnë të realizojnë punësime të militantëve nëpër kompani të ndryshme publike. Definitivisht kompanitë publike duhet të lirohen nga presionet e tilla të punësimeve dhe të orientohemi në sektorin privat për krijim të vendeve të punës”, ka potencuar Sadiku./Indeksonline/