E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërnava kërkon futjen e edukatës fetare në arsimin publik

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në kuadër të aktivitetit të tij për sensibilizimin e iniciativës të Bashkësisë Islame të Kosovës, për futjen e lëndës Edukatës fetare në kuadër të sistemit të rregullt të arsimit publik, u ka dërguar këtë letër deputetëve të Parlamentit të Kosovës.

“Të vetëdijshëm se po jetojmë në një kohë mjaft dinamike, kohë kur kanë filluar të dobësohen e zbehen vlerat shpirtërore tek njeriu, kur shumë dukuri negative kanë mbërthyer shoqërinë tonë, sidomos pjesën më vitale, rininë, e cila pothuajse është zhveshur tërësisht nga ndjenja shpirtërore e besimit. Kur kjo rini ka filluar që të bie pre e drogës, prostitucionit, alkoolit, mosrespektimit ndaj më të vjetërve, mosrespektimi ndaj arsimtarëve dhe profesorëve. Kur shumë nxënës shkollimin nuk e kuptojnë si diçka të shenjtë, kërkojmë nga Ju të na përkrahni në nismën tonë për futjen e lëndës Edukata fetare, në sistemin e arsimit publik në Kosovë, të bindur plotësisht se inkorporomi i një lënde të tillë edukative, do të vetëdijësonte këta të rinj për të pasur një qasje më reale ndaj botës dhe shoqërisë”, thuhet mes tjerash në letrën dërguar të hënën deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga myftiu Naim Tërnava.

Sipas Tërnavës qëllimi i mësimit të edukatës fetare, të feve tradicionale në Kosovë: islame, katolike dhe ortodokse, në arsimimin fillor e të mesëm, është që nxënësit gjatë rritës dhe zhvillimit të tyre, do të fitojnë njohuri për fenë e tyre, me të gjitha dimensionet e saj duke filluar nga ana shpirtërore, morale, edukative, sociale dhe humane.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›