E Shtunë, 31 Tetor 2026

Numrat neutralë

Nuk janë pak, por plot 2 mijë e 633 persona. Ky është numri i të punësuarve në Misionin Evropian për Sundimin e Ligjit-EULEX.

Prej tyre, 1 mijë e 607 veta janë ndërkombëtarë e pothuajse edhe kaq janë vendorë, ose me shifra, 1 mijë e 26 veta. Madje numri i të punësuarve në EULEX është 200 veta më shumë sasa që ka tërë sistemi i drejtësisë në vend. Sistemi i drejtësisë në vend ka të punësuar vetëm rreth 2 mijë e 400 persona. Në EULEX, i vetmi shtet i Bashkimit Evropian që nuk merr pjesë në tortën e pagave të majme, e që nuk e ka njohur Kosovën me asgjë, është Qipro. Shteti ishull i cili edhe vetë ka probleme të mëdha etnike, nuk ka asnjë të punësuar në Misionin e Evropian për Sundimin e Ligjit-EULEX.

Sa për katër shtetet e tjera të BE-së, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit, ndryshon puna.

Shteti si Rumania, ka numrin më të madh të të punësuarve në EULEX, 191. Këtij vendi anëtar të BE-së nuk i pengon nëse në EULEX ka dërguar persona më shumë se edhe vetë vendet që e kanë mbështetur pavarësinë, meqë ky mision ndërkombëtar është neutral karshi statusit.

Shtete të tjera si Franca apo Gjermania i kanë nga 180, respektivisht 111 të punësuar në EULEX.

Të kontaktuar nga Express, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rumanisë në Bukuresht, nuk duan të japin thjesht një përgjigje.

Por jo në të gjitha rastet, të punësuarit në EULEX, nga këto katër shtete, kanë ardhur në këtë mision të përzgjedhur nga shtetet respektive.

Janë dy mënyra që ata të mund t’i bashkohen misionit të EULEX-it.

E para është që shtetasit përzgjidhen dhe dërgohen nga shteti dhe në këtë mënyrë ata paguhen nga qeveria e shtetit të vet.

Dhe rasti i dytë është kur ata vijnë në mënyrë individuale dhe paguhen nga misioni evropian-EULEX-i.

Nga këto katër shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, Spanja është njëri prej tyre që nuk ka dërguar persona në EULEX, të përzgjedhur nga Qeveria. Të nëntë të punësuarit që vijnë nga ky shtet, kanë aplikuar në mënyrë individuale për vendet e tyre të punës në Kosovë.

Shteti që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por ka të punësuar në EULEX, është edhe Sllovakia.

Peter Stano, zëdhënës në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Sllovakisë, sqaron se vendi i tij është i gatshëm të ndihmojë misionin evropian që “vepron në provincë”.

“Ne mbështesim çdo mision të projektuar që të sjellë paqe, stabilitet dhe progres”, thotë Stano, duke sqaruar se mos njohja e pavarësisë dhe pjesëmarrja në EULEX, nuk janë dy gjëra kontradiktore. Për këtë çështje ai jep një përgjigje shumë të çuditshme.

“Ky mision mund të jetë gjithkund. Është mision i BE-së dhe me standardet e BE-së ne jemi të gatshëm të participojmë”, thotë Stano për Express..

Ai e pranon se është Qeveria sllovake që këta 9 persona i ka dërguar të punojnë në misionin e EULEX-it në Kosovë. Dhe për këtë, ai ka një arsyetim.

“Ne kemi problem me mënyrën e shpalljes së njëanshme të pavarësisë, por jo me njerëzit atje. Ne duam t’i ndihmojmë ata”, thotë Peter Stano nga Bratisllava.

Ndërkohë, Greqia, si njëri prej pesë vendeve anëtare që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por që njeh pasaportat, gjatë javës që kaloi, ishte shume e zënë për të festuar ditën e pavarësisë.

Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, nuk kanë preferuar të flasin për këtë çështje, duke u arsyetuar se festa e tyre kombëtare zgjat disa ditë.

Megjithëkëtë, zyrtarë të Misionit të EULEX-it në Prishtinë, sqarojnë se fakti që disa shtete anëtare të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë, mund të jenë pengesë për unionin në raport me Kosovën.

“Por kjo nuk ka ndikim në punën e EULEX-it në teren si një mision për të cilin janë pajtuar në mënyrë unanime të gjitha shtetet anëtare”, thotë Kristiina Herodes, një nga zëdhënëset e EULEX-it.

Sipas saj, katër nga pesë shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë, kanë kontribuar në misionin e EULEX-it me ekspertë të ndryshëm.

Sidoqoftë, shtetet që më së shumti kanë personel në EULEX janë, Rumania me 191 veta, Franca 180, Italia 178, Polonia 139Gjermania 111, Shtetet e Bashkuara të Amerikës 72, Bullgaria 69, Turqia 63, Hungaria me 61 persona etj. Përveç Qipros që nuk ka asnjë të punësuar në EULEX, vendi tjetër me më së paku personale në këtë mision është Luksemburgu 1 person, pasuar nga Malta 3, Estonia e Lituania me nga 7, Irlanda, Zvicra, Norvegjia, apo Kanadaja me nga 8 e Sllovenia, e Sllovakia me nga 9 të punësuar.

Fakte
Misioni i EULEX-it si staf ndërkombëtar, ka të punësuar 1 mijë e 607 veta, kurse si staf vendor llogaritën 1 mijë e 26 persona që në total janë 2 mijë e 633 të punësuar.
Sa për barazinë gjinore, duket se vetë evropianët nuk janë kujdesur aspak. Nga numri i stafit ndërkombëtar, 1 mijë e 384 janë meshkuj kurse vetëm 213 janë femra, ndërkohë që nga stafi vendor, 697 të punësuar janë meshkuj dhe gjysma ose 329 janë femra.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›