E Shtunë, 31 Tetor 2026

Terr në sheshe dhe shëtitore të Mitrovicës

Pothuajse të gjitha sheshet, shetitoret, parqet dhe në disa pjesë të Mitrovicës kanë mbetur në terr si pasojë e mungesës së energjisë elektrike. Terri, i cili zgjat që shumë kohë, ka shëmtuar pjesët më të bukura të qytetit të ndarë, ndërsa qytetarët ndjehen të pezmatuar me gjendjen, në veçanti të rinjtë, të cilët gjatë mbrëmjeve më së shumti i frekuentojnë këto vende.

Ata kanë shprehur shqetësimin e tyre për këtë gjendje, duke fajësuar institucionet komunale. Një prej tyre, Agim Ibrahimi, tha se mungesa e dritave në shtyllat elektrike, në parqe, në sheshe dhe në shetitore i ka shëmtuar këto pjesë dhe bukurinë e vetë qytetit, shkruan Zëri.

“Eshtë mëkat që përgjatë birgjeve të Ibrit, që është një hapësirë shumë e bukur dhe e frekuentuar nga shumë të rinj, të mos ketë drita”, tha ai, duke kërkuar nga institucionet përkatëse komunale që të gjejnë zgjidhje me KEK-un.

Një tjetër i ri, Mentor Baliu, thotë se mungesa e dritave në vende publike ngërthen në vete edhe pasoja. “Tani po ndodh gjithçka dhe zakonisht ato ndodhin në vende të errësuara”, tha ai, e këtë e pohojnë edhe shumë mitrovicas të tjerë.

Shemsedin Sahiti, i cili nga Suedia kishte ardhur në pushime, thotë se me ardhjen e KEDS-it situata mund të ndryshojë menjëherë edhe sa u përket borxheve.

“Borxhet janë të KEK-ut dhe pavarësisht nëse faturat janë fryrë, apo edhe nese borxhi është real, atëherë kompania që tani ka marrë KEK-un, do të thotë KEDS-i turk, nuk mund t’i kërkojë borxhet e KEK-ut. Sipas meje, komuna e Mitrovicës duhet të kërkojë rikyçjen e menjëherëshme të këtyre pjesëve në rrjetin elektrik, në mënyrë që t’u mundësohet qytetarëve komoditet i plotë dhe relaksim në shetitore dhe në parqe. Eshtë shumë keq, ta zëmë, që sheshi ‘Isa Boletini’ të mos ketë drita”, ka thënë ai.

Rasim Veseli, drejtor për Shërbime Publike, pranoi se KEK-u ka ndërprerë energjinë elektrike nëpër këto lokacione për shkak të borxheve.

“Nga informacionet që kemi, rryma është ndërprerë në kutinë shpërndarëse për shkak të mospagesës së borxhit. Realisht ne interesohemi dhe u rrimë gati fati faturave për ndriçim, i paguajmë me kohë, mirëpo ka disa raste, që për shkak të mospunës dhe neglizhencës së punëtorëve të KEK-ut, faturat kanë ardhur tepër të fryra dhe ne nuk mund t’i përballojmë”, ka thënë Veseli.

Sipas tij, punëtorët e KEK-ut nuk faturojnë me nga 3-4 muaj, e pastaj vijnë me fatura tepër të larta, të cilat normalisht se nuk i kemi pranuar dhe i kanë konstestuar.

“Nuk i kemi pranuar dhe i kemi kontestuar faturat arbitrare, të pasakta dhe të dyshuara. Ato duhet të korrigjohen dhe tani të shohim gjendjen reale të tyre, në bazë të të cilave edhe do ta kryejmë pagesën”, ka thënë drejtori Veseli.

Ky problem në mes të komunës së Mitrovicës dhe KEK-ut, i cili ka kohë që përplas këto dy subjekte në mes vete, sipas banorëve të Mitrovicës, do të duhej të zgjidhej sa më shpejt që do të jetë e mundur. Deri atëherë, ura kryesore e Ibrit, sheshi “Isa Boletini” si dhe shetitorja përgjatë brigjeve të lumit Ibër vazhdojnë të mbesin në terr. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›