E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazimestan, sulmohet autobusi, lëndohet një vajzë

(E plotësuar) Pas përfundimit të festimit të Vodovdanit në Gazimestan, gjatë nisjes së autobusëve ka ndodhur një incident ku është lënduar një vajzë. Sipas disa informacioneve një autobus është sulmuar me një shufër metali nga ku është lënduar vajza.

Por një mundësi e tillë është mohuar nga banorët shqiptarë. Sipas tyre serbët në autobus kanë qenë të dehur dhe kanë thyer xhamat duke e lënduar vetën.

Vajza e lënduar është futur në autoambulancë dhe është duke e marrë ndihmën e parë, njofton KosovaPress.

.....................

Rreth 2 mijë vetë janë mbledhur në Gazimestan, për të përcjellur ceremoninë qendrore të festimit të ditës së Shën Vidit, për të shënuar këtë vit 624 vjetorin e Betejën Mesjetare të Kosovës - ditë kjo të cilën komuniteti serb e quan Vidovdan.

Manifestimi mbahet çdo 28 qershor, tradicionalisht në Graçanicë dhe Gazimestan.

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Patriku serb Irinej ka udhëhequr ceremoninë kryesore në Gazimestan, duke dhënë mesazhin se "Kosova si vend i shenjtë nuk guxon të lihet në harresë".

Sipas njoftimeve të fundit, ceremonia nuk është ndjekur me probleme, ndonëse njoftohet se janë kënduar disa këngë, me përmbajtje fyese kundrejt shqiptarëve, transmeton Rel.

Ndryshe nga viti i kaluar kur pelegrinët serbë ishin detyruar të heqin çdo shenjë nacionaliste, që mund të provokonte prishjen e rendit dhe qetësisë, këtë herë nuk janë parë fanela dhe parolla me përmbajtje nacionaliste.

Forca të shumta policore vërehen përgjatë magjistrales Prishtinë - Mitrovicë dhe rrugës Prishtinë - Graçanicë.

Liturgjitë për ditën e Shën Vidit kanë nisur herët në mëngjes në Manastirin e Graçanicës dhe atë të Deçanit.

Në manastirin e Deçanit ishte edhe zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bashkë me zyrtarin ndërlidhës në Prishtinë, Dejan Paviçeviq, këshilltarin e presidentit serb, Marko Gjuriq dhe drejtorin e zyrës për Kosovë, Alleksandar Vullin.

...................

 Po vazhdon ardhja e qytetarëve serb te monumenti i Gazimestanit për të kremtuar festen e Vidovdanit. Ata po mbajnë në duar flamuj të Serbisë dhe po këndojnë këngë nacionaliste, duke thënë se Kosova është zemra e Serbisë, megjithatë nuk është vërejtur që ndonjë serb ka qenë i veshur me ndonjë bluzë me shkrim provokues.

Ndërkohë priftërinjtë kanë filluar liturgjinë fetare në Gazimestan, në vendin ku është mbajtur Beteja e Kosovës.

....................

 Rreth gjashtë autobusë me serbë kanë arritur në Gazimestan të cilët më të mbërritur kanë filluar që të këndojnë këngën nacionaliste serbe të cilat i kushtohen edhe Betejës së Kosovës.

Për momentin nuk ka asnjë incident dhe serbët po festojnë të qetë. Policia e Kosovës nuk është duke biseduar me ta, transmeton Express.

Veç Policisë së Kosovës me serbët është edhe Policia e EULEX-it që po kujdeset për sigurinë e tyre.

.......................

 Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë për tubimin publik, i cili do të mbahet sot në Gazimestan, kanë konfirmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i kësaj policie, Baki Kelani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Policia e Kosovës me kohë e ka përgatitur urdhërin operativ të quajtur “Vidovdani 2013”.

“Ky urdhër operativ i përgatitur në nivel qendror u është proceduar edhe drejtorive rajonale policore, për t’i hartuar planet e tyre konkrete, në mënyrë që të harmonizohen me urdhërin operativ të lëshuar nga niveli qendror. Ky urdhër operativ, si qëllim strategjik ka përgatitjen e masave të nevojshme planifikuese, koordinuese dhe operative policore, në mënyrë që ky manifestim të zhvillohet në suaza të normales, duke respektuar rendin dhe qetësinë publike”, ka thënë Kelani.

Ai ka shtuar se plani operativ po ashtu ka për qëllim garantimin e lëvizjes së lirë për pjesëmarrësit në tubimin publik, por edhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës edhe më herët u ka bërë thirrje pjesëmarrësve eventual në tubimin në Gazimestan, që t’i shmangen veprimeve provokuese, si dhe bartjes së simboleve provokuese. Zyrtarët e e saj kanë theksuar se policia e Kosovës do të veprojë në përputhje me autorizimet ligjore që i ka.

Nga ana tjetër, Në manastirin e Deçanit dhe në Graçanicë sot është mbajtur mesha për Vidovdanin.

Në Deçan kan arritur dhjetëra besimtarë ortodoks serbë, ndërkaq aty kanë qenë të pranishëm edhe zyrtari i ndërlidhjes i Beogradit, Dejan Paviçeviq, këshilltari i kryetarit të Serbisë, Marko Gjuriq, dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin.

Manifestimi qendror i Vidovdanit do të mbahet pak pas mesditës në Gazimestan afër Prishtinës, ku do të jetë i pranishëm edhe patriku i Kishës Ortodokse serbe, Irinej.

.......................

Kisha ortodokse serbe dhe besimtarët e saj sot festojnë 624 vjetorin e Betejës së Kosovës. Kjo datë, të cilën historia e kujton si një betejë të humbur të ushtrive aleate kundër pushtimeve osmane në këtë pjesë të Ballkanit, serbët e festojnë si fitore. Jo njëherë këta gjatë historisë këtë ngjarje e kanë përdorur për qëllime shoviniste antishqiptare. Në gjashtëqindvjetorin e saj, kreu i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq paralajmëroi gjakderdhjen që do të zhbëjë Federatën Jugosllave, për të përfunduar vetë si kriminel lufte në Tribunalin ndërkombëtar të Hagës, ku do të jetë fundi i jetës së tij.

Serbët vazhdojnë të ushqehen me këtë histori të Betejës së Kosovës. Në Gazimestan vazhdojnë të bëjnë pelegrinazh çdo vit, shpesh me sjellje e simbole provokative. Sivjet pjesëmarrësve u është tërhequr vërejtja nga Policia e Kosovës, por edhe nga autoritetet e Beogradit, që të shmangin simbolet provokuese.

Në tempujt ortodoksë serbë janë paralajmëruar liturgji, kurse në Gazimestan parastos. Është paralajmëruar edhe ardhja e shumë zyrtarëve serbë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se do të merret me sigurimin e mbarëvajtjes së kësaj feste. Ajo ka njoftuar se aksionet i ka koordinuar me Policinë e EULEX-it, me KFORIN si dje me MUP-in e Serbisë. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›