Sitnica rrezikon basenet e qymyrit

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton se për shkak të reshjeve të mëdha atmosferike, gjatë ditës së djeshme është akumuluar një sasi e madhe e ujit gjatë rrjedhës së tyre në shtratin e vjetër të lumit Sitnica.
Për shkak të rrezikut që ujërat të vërshojnë basenet për nxjerrjen e qymyrit, ekipet e KEK-ut kanë intervenuar për të sanuar problemin.
“Falë angazhimit maksimal dhe të shpejtë të punëtorëve nga Divizioni për Prodhimin e Qymyrit të KEK-ut dhe koordinimit të menaxhmentit të korporatës, ky akumulim i ujërave nuk ka afektuar fare procesin e punës. Sot, niveli i ujit ka vazhduar të bjerë dhe gjithçka po shkon drejt normalitetit”, thuhet në një komunikatë shtypi të KEK-ut.
Sipas njoftimit, furnizimi me qymyr i termocentraleve është i bollshëm, në deponi ndodhen mbi 600 mijë tonë qymyr, ndërsa blloqet po punojnë normalisht. Sipas KEK-ut, furnizimi është stabil dhe nuk reduktime për asnjë kategori.