E Shtunë, 31 Tetor 2026

Terri, skandali bëhet çështje shteti

“Sex-gate”

Ministri britanik i sporteve i ka kërkuar federatës që të mbajë një qëndrim
Lajmet që qarkullojnë në mediat britanike nuk janë aspak pozitive për kapitenin e çelsit dhe të Kombëtares angleze, Xhon Terri. Lidhja e lojtarit, i martuar dhe baba i dy fëmijëve, me modelen Vanesa Perronçeli, e cila ishte ish e fejuara e shokut të përfaqësueses Uejn Brixh, po shndërrohet në një “çështje shtetërore”. Sipas “The Times”, qeveria po ushtron presion ndaj Federatës së Futbollit (FA), duke kërkuar nga këta të fundit që të mbajnë një qëndrim rreth skandalit seksual ku është përfshirë mbrojtësi 29-vjeçar. “Në fushën e lojës, Xhon Terri është një lojtar fantastik dhe një kapiten shumë i mirë për Anglinë. Si i tillë, ai duhet të marrë përsipër përgjegjësitë përpara gjithë vendit. Nëse dyshimet rreth skandalit do të konfirmohen, roli i tij si lideri i ekipit Kombëtar do të vihet në dyshim”. Kjo ishte deklarata e Geri Satklif, ministrit britanik të Sporteve, i cili theksoi: “Jam rregullisht në kontakt me FA-në, duke i kërkuar drejtuesve të këtij institucioni këndvështrimin e tyre. Duhet të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë”.
Sipas spekulimeve që qarkullojnë në tabloidët e ishullit, mbrojtësi ka pasur një lidhje jashtëmartesore me Perronçel, e cila në atë periudhë ishte e lidhur me Uejn Brixh, ish-shokun e tij te çelsi. Lojtari i Mançester Sitit është pjesë e skuadrës së drejtuar nga Fabio Kapelo: pra, kjo çështje rrezikon të prishë ekuilibrat brenda skuadrës përfaqësuese. Terri tentoi të “bllokonte” publikimin e artikujve rreth skandalit “sex-gate”, por Gjykata e Lartë e Londrës nuk e pranoi kërkesën e tij. Me rrogën 150 mijë sterlina në javë, kapiteni i çelsit është futbollisti më i paguar në Premiership, ndërsa klubi i drejtuar nga Roman Abramoviç i ka dhënë mbështetje të plotë në “çështjen personale”. Në anën tjetër, Brixh, nëpërmjet një deklarate për shtyp ka kërkuar respektimin e jetës private. Gjithsesi, mbrojtësi i Sitit mund të ngushëllohet me solidaritetin e shokëve të skuadrës: në takimin që “sitizëns” fituan përballë Portsmuthit, Najxhëll de Jong, Stefen Ajrland dhe Karlos Tevez shfaqën një bluzë ku shkruhej “Team Bridge”. Për momentin, të vetmit që nuk kanë folur rreth skandalit janë Lordi Devid Triesman dhe Ian Uatmor, përkatësisht presidenti dhe drejtori i përgjithshëm në Federatën Angleze të Futbollit. Sipas gjasave, drejtuesit më të lartë të FA-së do t’ia delegojnë trajnerit Kapelo, çdo vendim që lidhet me Terrin. Aktualisht drejtuesi i stolit të “Tre Luanëve” ndodhet në Zvicër, ku po rehabilitohet pas një operacioni në gju, por sapo të kthehet në Angli, ai duhet të vendosë nëse shiriti i kapitenit do të ndryshojë “pronar”.
Ndërkohë, bashkëshortja e Xhon Territ ka udhëtuar në Dubai dhe ka ndërmend të ndahet. 28-vjeçarja Toni Pol, e martuar prej vitit 2007 me kapitenin e Anglisë, me të cilin ka edhe dy fëmijë, duket se nuk do ta tolerojë tradhtinë e lojtarit: kjo edhe për faktin se lidhja e Territ me modelen franceze zgjati plotë 4 muaj. Të shtunën, pasi kontaktoi me një avokat të famshëm divorcesh, Pol u nis drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa një burim pranë saj pohoi: “Toni ndihet kaq e turpëruar saqë ka nevojë të qëndrojë larg Xhonit. Ajo nuk ka ndërmend ta falë për tradhtinë”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›