Liverpuli kërcënon Juventusin: Benitez? Do i drejtohemi UEFA-s
Përplasja
Anglezët, letër bardhezinjve: “Mos iu afroni trajnerit pa lejen tonë”
Nëse Zakeroni kërkon të zbehë mitin e Rafa Benitez, duke thënë se nuk e njeh personalisht, te Juve trajneri spanjoll ka thyer të gjitha kohët. Aq sa ka ndezur edhe reagimin e ashpër të Liverpulit. “Reds”-at, në fakt, kanë dërguar një letër në rrugën “Galileo Ferraris”, duke kërkuar shpjegime mbi tentativën për t’u rrëmbyer atyre Benitezin, me të cilin janë të lidhur me një kontratë deri në 2014-n. “Jemi gati t’i drejtohemi UEFA-s”, ka thënë një drejtues anglez për "News of the World". Pra Liverpuli as nuk ka ndërmend të qëndrojë duke parë tentativën e bardhezinjve. “Nëse kushdo në emër ose për llogari të Juventusit do ta ketë kontaktuar Benitezin pa lejen tonë, do të ketë shkelur rregullat ndërkombëtare. Prandaj si klub kemi parë të arsyeshme që t’i dërgojmë një letër të përzemërt Juventusit, duke e paralajmëruar se, nëse një gjë e tillë do të konfirmohet, do të jemi të gatshëm ta denoncojmë për sjellje jokorrekte”, kanë bërë të ditur drejtuesit e “Merseyside”. Ndërsa për sa i përket direkt të interesuarit, Benitez ka lëshuar një deklaratë në faqen zyrtare të internetit të klubit anglez, duke theksuar impenjimin e tij karshi skuadrës së tij aktuale: “Kam një kontratë në terma afatgjatë me Liverpulin dhe e përsëris atë që kam thënë të premten, se jam i lumtur që jam këtu dhe objektivi im i vetëm është të bëj në mënyrën më të mirë punën time, duke e çuar Liverpulin mes katër skuadrave të para. Në të kundërt nga ajo që është shkruar në Itali, dëshiroj të bëj krejtësisht të qartë, se nuk kam asnjë marrëveshje me Juventusin dhe nuk kam takuar asnjë përfaqësues të Juventusit apo të ndonjë klubi tjetër”. Ndërkohë që nuk harron të falënderojë Juven për interesimin. Gjithsesi përflitet se e ardhmja e Benitezit te Juve mbetet ende shumë e paqartë, më shumë për shkak të mossqarimit të detajeve ekonomike të ofertës. Ndërkohë që të dielën në fund të ndeshjes Juventus-Lazio, Roberto Betega i bardhezinjve ka synuar të largojë fantazmën Benitez nga pankina e Alberto Zakeronit. “Benitez? Nuk kam kënaqësinë ta njoh personalisht, shpjegoi ai dhe kjo përgjigje është më se e qartë. Unë mund t’ju them se do të ishte shumë e vështirë të marrësh një trajner të tillë në kaq pak kohë”.
#