“Forca e zakonit” rikthehet në Teatrib Kombëtar
Teatri Kombëtar në Tiranë ka nisur me fillimin e shtatorit përgatitjet për çeljen e sezonit artistik, që pritet të nisë në fund të muajit me shfaqjen e komedisë "Forca e zakonit", të austriakut Bernard. Zyra e shtypit në Teatrin Kombëtar konfirmon për ATSH-në, se "shfaqja që do të çelë sezonin e ri artistik do të jetë shfaqja “Forca e zakonit” me të cilën u mbyll dhe sezoni i mëparshëm". “Forca e zakonit”, vepra e shkruar nga dramaturgu austriak Tomas Bernard u vu për herë të parë në skenën shqiptare në datën 20 qershor 2009 nga regjisori austriak Kristian Papke, falë një bashkëpunimi mes Ambasadës Austriake në Shqipëri dhe Teatrit Kombëtar. Në këtë komedi me karakter absurd, interpretojnë aktorët Vasian Lami, Neritan Liçaj, Arben Derhemi si dhe akrobatët Suada Hoxha dhe Elton Çefa. Në qendër të shfaqjes është një drejtues cirku, i vetmi personazh që mban një emër, Garibaldi, si dhe pjesëtarët e tjerë të arenës së cirkut, akrobatja, zbutësi i kafshëve, xhongleri dhe gaztori. Të 4 personazhet janë nën pushtetin dhe diktaturën e Garibaldit, i cili ka lënë mënjanë arsyen dhe kërkon prej tyre përkushtim absolut për krijimin e një Kuinteti Tromfash. Për vënien në skenë të kësaj vepre të Tomas Bernard, loja e aktorëve është ndërthurur me lëvizjet akrobatike të realizuara nga Gjergj Prevazi. Vepra është përkthyer në shqip nga Jonila Godole. Mesazhi që sjell kjo shfaqje është se në jetë njerëzit janë të detyruar të bëjnë shumë gjëra dhe pa dëshirën e tyre, por për hir të jetës, ato duhen çuar deri në fund. Ndërkaq, në Teatrin Kombëtar kanë filluar përgatitjet dhe për shfaqjen “Kush ka frikë nga Virxhinia Ulf” me fazën përzgjedhëse të aktorëve dhe pritet që provat të fillojnë sa më shpejt.
3 Shtator 2009