Testamenti i fundit i Oscar Wilde
Me shikimin fiksuar në letrën vulgare dhe të tmerrshme që dekoronte muret e dhomës së tij në një hotel të kategorisë së dhjetë, burri i shëndoshë dhe i zhgënjyer që kishte thënë se estetika është superiore ndaj etikës, përplasi kokën dhe murmuriti: “Po, patjetër, një nga ne të dy duhet të shkojë...”. Ai që iku përgjithmonë disa ditë më vonë, më 30 nëntor të vitit 1900, nuk ishte letra e murit, por njeriu i shëndoshë dhe i mundur. Quhej Oscar Wilde. Askush në fund të shekullit që ziente nga artistët e jashtëzakonshëm dhe gjenitë nuk kishte qenë si ai: i famshëm e i varfër, në modë dhe i harruar, pervers dhe i pafajshëm, njeri i suksesshëm e i burgosur për homoseksualitet. Pas vdekjes, miti Wilde shpërtheu jashtë çdo parashikimi. U publikuan veprat e tij të plota, një skulptor realizoi për të monumentin që ndodhet ende në Pere-Lachais. Duke u favorizuar nga pseudonimet e shumta të përdorura nga Wilde, filloi përhapja në masë e teksteve false që i atribuoheshin atij. U tha se ishte i tiji një përkthim i Satyricone, i një libri të katolikut Barbey d’Aurevilly; u publikua një korrespondencë erotike me Sarah Bernhardt; njëfarë zonja Chon Toon i shiti një botuesi një tekst të rremë, me stil aziatik, të titulluar “Për dashurinë e mbretit”, por u arrestua për mashtrim. Një mitoman i quajtur Young shkroi një libër të tmerrshëm mbi Oscar, i mbushur me letra të sajuara, një tjetër i quajtur Dorian Hope shiste letra false referuar të birit apo të dashurit të tij, Bosie; u shfaq përkthimi frëngjisht i një libri anglisht që nuk ekzistonte, i titulluar “Jezabel”; ekzekutuesi i testamentit të Wilde i lejoi një poetuçi amerikan të plotësonte “Tragjedinë fiorentine”, duke e shitur sikur ishte e Wilde; ndërsa gazeta “Smith” publikoi “Psychic Messages from Oscar Wilde” (fjalët e mjeshtrit që nga bota e të vdekurve). Për vite të tëra wilde-anët falsë u shfaqën gjithandej. Vetëm një javë më parë, në Itali është botuar një libërth i vogël nga shtëpia botuese “Robin”, shkruar nga një Oscar Fingal misterioz. Titullohet “Endje mbi lumturinë” (Divagazioni sulla felicità). Botuesit e kanë marrë parasysh këtë libër, duke besuar se ky tekst, botuar pas Luftës së Parë Botërore në Milano nga “Alfieri&Lacroix”, të jetë një tekst wilde-ian. Thuhet kjo bazuar në pseudonimin Oscar dhe “Fingal”, që ishte emri i dytë i Wilde. Edhe në këtë rast është një libër i përkthyer nga origjinali i zhdukur tashmë, ose duhet besuar se ishte shkruar italisht. A duhet besuar? Në parathënien e gjatë të vëllimit, kuratorja e këtij botimi, Lilli Monfregola, pranon se teksti që po boton është larg botës së Oscar Wilde, edhe pse e reklamon si tekstin e fundit të shkrimtarit. Në realitet Monfregola luan me hipotezat, hipoteza që as hedhin poshtë e as vërtetojnë. Ajo flet për “letërsinë e papërsosur” dhe për magjinë që ngjallin librat-fantazmë. Por lumturia ngritur mbi moralin për të cilën flet Oscar Fingal, është shumë larg lumturisë që kishte ëndërruar Oscar Wilde kur shkruante: “Kënaqësia është e vetmja arsye për të jetuar dhe për të vdekur. Asgjë s’të plak sa lumturia”. është e padiskutueshme që Oscar ka shpikur postmodernizmin. Ai shkruante: “Arti nuk duhet të tentojë asnjëherë të jetë popullor. është publiku që duhet të përpiqet të jetë artistik”. A është e drejtë? është e gabuar? E vërtetë? Pyetjeve tona Oscar do t’u kthente shpinën e duke kthyer një gotë shampanjë, do t’i përgjigjej paradoksit të fundit: “Një e vërtetë pushon së qeni e tillë kur besohet nga më shumë se një njeri”. Më poshtë po shkëputim disa fraza nga ai që besohet si testamenti i fundit i Oscar Wilde. ”Për t’ia dalë në jetë, duhet të përballesh me vështirësitë që të kesh mundësinë të manovrosh mbi to. Duhet rrezikuar shumë për të fituar shumë. Atë që nuk e kemi përdorur, me siguri e kemi humbur, ndërsa duke rrezikuar do të kemi pasur pak a shumë mundësinë për të humbur. Fati pëlqen t’i jepet vetëm atij që e ka merituar dhe nuk është i verbër siç besohet gjerësisht. Qartësia e tij i shpëton një gjykimi sipërfaqësor. Asgjë nuk arrihet në botë pa e merituar, aventurat vërtiten rreth nesh si qenie femërore në kërkim të dashurisë: dëshira jonë nuk na lë shteg tjetër veçse të bëhemi dashnorë të tyre[...]. Nëse kemi tendencën për të gënjyer, gënjeshtrat do të na përplasen në fytyrë; nëse do të trembemi nga dhimbja, ajo do të na vizitojë pareshtur; nëse do të kemi dëshirën të duam, dashuria do të vijë te ne. Kështu, ngjarjet e mëdha nuk u ndodhin veçse atyre që janë të gatshëm t’i presin. Njerëzit e zakonshëm nuk i vënë re asnjëherë rastet e arta, ata ndjejnë vetëm vështirësitë, përpara të cilave kryqëzojnë duart. Fati kalon gjithnjë në jetën e një njeriu, por janë të paktë ata që e vënë re. Zakonisht ndodh që t’i kenë sytë diku tjetër, në të shumtën e rasteve tek idetë pesimiste. Nëse mbeteni të pavendosur, të frikësuar për të guxuar, fati kalon i inatosur që nuk u vu re dhe që nuk e kapët prej flokësh”.
#