Lelio Lutazi dhe brezi i viteve 70
Mjeshtri i muzikës italiane, kompozitori Lelio Lutazi, ka vdekur në moshën 87-vjeçare. I laureuar për drejtësi, por një muzikant, një pianist i shkëlqyer, ai ishte ndër të parët që solli muzikën xhaz në Itali, i vlerësuar nga të gjithë si “Maestro dello swing”. Lelio Lutazi u rrit gjatë periudhës kur lindi radioja dhe televizioni modern, duke kompozuar këngë, muzikë filmash, duke qenë protagonist i viteve ‘50-‘60 në këto fusha. Popullariteti i tij merr famë me “Hit Parade”, një prej programeve legjendarë radiofonikë, nga vitet 1967-1976, një ndër emisionet e veçanta dedikuar klasifikimit javor të këngëve të muzikës së lehtë. Forca e shpërthimit në momentin e fjalëve “Hiiiiiiiit Parade”, si të ishte një spektakël në Broadway, ka mbetur edhe sot në kujtesën jo vetëm të publikut italian, por edhe atij shqiptar, që ndiqte me pasion radion dhe në veçanti muzikën italiane të viteve ‘60-‘70. Falë “Hit Parade” të Lelio Lutazit, këngëve të transmetuara në këtë program, u mësuan fjalët e para të gjuhës e këngëve italiane, që për brezin e atyre viteve edhe sot mbeten një kujtim i paharruar. Sa histori dashurie ka sjellë ajo kohë, shumë prej të cilave vinin nga këngët e dëgjuara në “Hit Parade”-n e Lelio Lutazit? Sa herë në orën e drekës, duke ngrënë dëgjohej me kureshtje “Hit Parade” e Lelio Lutazit? Sa herë gjatë orëve të mësimit qarkullonin tekstet e këngëve të Morandit, Celentanos, Litëll Tonit, Batistit, Don Bakit, Reitanos, Bobi Solos, Ranierit etj., etj., që i merrnim nga “Hit Parade” e Lelio Lutazit? Me sa interes pritej orari vjetor për nxënësit e shkollave të asaj kohe, për faktin e vetëm se të premten në orën 13:00 dhe të hënën në orën 13:20 ishte “Hit Parade” e Lelio Lutazit? Në sa të hëna e të premte plazhi, radiot e dorës sinkronizoheshin në çdo çadër, te çdo grup të rinjsh pikërisht në kohën kur Lelio Lutazi thërriste “Hiiiiiit Parade”-n e tij? Sa javë kanë qëndruar në krye të “Hit Parade”-s këngët “Cuore Matto” e Litëll Tonit apo “Pensieri e Parole” e Lucio Batistit? Me moton “Lelio Lutazi… presenta Hit Parade” edhe sot kujtohet si sigla e një takimi të pandërprerë dhe që e lidhte Lutazin me një numër të madh dëgjuesish. Si një profesionist me shumë vlera dhe mjaft serioz, Lutazi kishte mbledhur rreth tij mijëra fansa falë pasionit dhe aftësive muzikore që ai transmetonte te fansat e tij, një pjesë e madhe e të cilës ishim edhe ne jo vetëm të rinjtë, por gjithë shqiptarët e viteve ‘70.
#