E Shtunë, 31 Tetor 2026

Testi i Berlinit

Kosova dhe Serbia morën pjesë në Konferencën e vendeve të Europës Juglindore në Berlin që u kryesua nga Gjermania dhe Hungaria. Aty ishte edhe përfaqësuesi amerikan, Philip Reeker. Prishtina u përfaqësua në nivel të Ministrit të Jashtëm, derisa Beogradi dërgoi ndihmësin e Ministrit. Por, Kryediplomati Hoxhaj tha se prania e dy palëve është shenjë e normalizimit të raporteve.

Zyrtarët e Qeverisë së Serbisë kanë filluar të mos i lëshojnë takimet ndërkombëtare edhe kur aty janë të pranishëm përfaqësuesit e Republikës së Kosovës.

Kështu, të premten, Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka marrë pjesë në Konferencën e Ministrave të Jashtëm të vendeve të Europës Juglindore me ndihmësin e Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Zoran Vujic.

Konferencë është kryesuar nga Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Hungarisë, Guido Westervelle dhe Janos Martonyi, e ku është diskutuar e ardhmja e Ballkanit.

Takimi është organizuar nga Ambasada e Hungarisë në Berlin dhe Instituti Aspen, ku ka marrë pjesë edhe Zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Philip Reeker.

Madje, zyrtarët e Kosovës dhe të Serbisë kanë pozuar edhe për një fotografi të përbashkët në fund të takimit, bashkë me Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe Kroacisë.

Sido që të jetë, Serbia. edhe pse e përfaqësuar në nivel më të ulët, ka pranuar të marrë pjesë.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivan Mrkic ka takuar të mërkurën shefin e diplomacisë gjermane, por duket se Westervelle nuk ia ka dalë ta bindë homologun e tij serb që të jetë pjesë e kësaj konference.

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj megjithatë ka thënë se prania e zyrtarëve të Kosovës dhe të Serbisë në një konferencë të përbashkët është shenjë e fillimit të normalizimit të raporteve ndërshtetërore.

Por, Hoxhaj ka deklaruar se konferenca e organizuar në Berlin nuk ka të bëjë me dialogun që po zhvillohet në Bruksel me palën serbe dhe as me marrëveshjen për bashkëpunim rajonal që ishte arritur vitin e kaluar.

“Pa dyshim është një hap i normalizimit të relacioneve tona dhe komunikimeve tona, përkundër asaj që dua ta bëj të qartë që është fjala për një konferencë publike, e cila nuk ka të bëjë me listën e propozuar nga Robert Cooper, nuk ka të bëjë me anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat rajonalë, por është një konferencë e rregullt e Aspenit që organizohet në Berlin dhe ka vazhdimisht ka tema të natyrës euroatlantike”, ka thënë Hoxhaj, për Express, të premten.

Ministri Hoxhaj nuk i di arsyet e mospjesëmarrjes së Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivan Mrkic në këtë konferencë.

“Unë nuk i di arsyet e vërteta të mospjesmarrjees së tij. Por, konferenca është marrë me temën kah po shkon Ballkani dhe ka qenë një konferencë publike në Berlin, ku kanë marrë pjesë të gjithë ministrat e rajonit, nga Kroacia, Bosnja, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Shqipëria, përderisa serbët kanë qenë të përfaqësuar në nivel të zëvendësministrave”, ka thënë ai.

Hoxhaj nuk ka folur për ndonjë takim me përfaqësuesin serb, por ka thënë se me të ka qenë vetëm pjesë e panelit të përbashkët.

Por ai konsideron se tash e tutje nuk do të jetë problematike pjesëmarrja e Serbisë në forumet ku merr pjesë edhe Kosova.

“Pa dyshim që pas fillimit të procesit të normalizimit të relacioneve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, i cili proces udhëhiqet në nivel të Kryeministrave. Kur Kryeministrat e të dy vendeve marrin pjesë në një proces të tillë, pa dyshim që edhe Ministrat e Punëve të Jashtme apo Ministrat e sektorëve të tjerë nuk do të duhej të kenëj probleme për shkak të pjesëmarrjes, ka thënë Hoxhaj.

Rreth raporteve Kosovë – Serbi ka folur Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westervelle.

“Ne e mirëpresim faktin se Serbia dhe Kosova janë duke tentuar që t’i normalizojnë raportet e tyre. Ky normalizim është jetik në mënyrë që të forcohen marrëdhëniet e mira fqinjësore. Këto janë kërkesa thelbësore në mënyrë që dy vendet të mund t’i bashkohen BE’së si partnerë me të drejta dhe përgjegjësi të plota”, ka thënë Westervelle.

Ai u ka dhënë përkrahje përpjekjeve të Përfaqësueses së Lartë, Catherine Ashton për normalizimin e raporteve Prishtinë – Beograd.

“Na duhet një mirëkuptim politik mes Serbisë dhe Kosovës për çështjet kyçe duke përfshirë situatën e pazgjidhur në Kosovën Veriore”, ka thënë Westervelle.

Diplomati gjerman ka kërkuar edhe implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›