E Diel, 1 Nëntor 2026

Testi për shtetin e ri të KosovësNga “Faktori Plus”Misioni ndërkombëtar për drejtësinë në Kosovë ka arrestuar Nazim Bllacën, një qytetar të Kosovës, që ka bërë deklarata të forta publike lidhur me përfshirjen e tij dhe të disa strukturave sekrete në

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Testi për shtetin e ri të KosovësNga “Faktori Plus”

Misioni ndërkombëtar për drejtësinë në Kosovë ka arrestuar Nazim Bllacën, një qytetar të Kosovës, që ka bërë deklarata të forta publike lidhur me përfshirjen e tij dhe të disa strukturave sekrete në eliminimet politike në Kosovë. Bllaca dëshmon se së paku ka marrë pjesë vetë në një vrasje dhe ka shoqëruar aksione të tjera shpesh të dështuara për eliminime fizike. Dëshmia e Bllacës natyrisht që hap një kapitull të vështirë në jetën politike të Kosovës, që lidhet me vrasjet politike, të cilat zunë fill në vitin 1998 dhe vazhduan dhe disa vite pas çlirimit të Kosovës. Gabimi i parë i atyre që injorojnë dëshmi të tilla është përpjekja për t’u mbrojtur në emër të UÇK. Ushtria Çlirimtare e Kosovës as nuk duhet ngatërruar dhe as ka asnjë përgjegjësi kolektive për akte personale të personave të përfshirë në veprime të tilla kriminale. Çdo përpjekje për të njollosur UÇK apo për t’u mbrojtur në emër të UÇK për akte të tilla të ulëta, është një keqpërdorim i madh i saj. Së dyti, përpjekja për t’u fokusuar te personaliteti i vrasësit si alibi për vërtetësinë e dyshimtë të këtyre deklaratave është po ashtu gabim. Asnjë vrasës nuk ka personalitet të lakmueshëm, përderisa ka vrarë, madje edhe me porosi politike dhe financiare. Ky është rasti që drejtësia duhet të merret gjerësisht me këtë çështje dhe në Kosovë t’i jepet fund periudhës së errët të vrasjeve politike, që shpesh janë iniciuar dhe nga interesa meskine ose aspak politike, por që kanë dëmtuar rëndë besimin ndërkombëtar te shteti i ri i Kosovës. Së fundmi reagimet e institucioneve shtetërore të Kosovës duhet të jenë më të përmbajtura dhe aspak emocionale. Ky është një rast, ku shteti i ri vihet në provë për të testuar institucionet e veta. Ky person duhet të dalë para drejtësisë dhe të provojë ato që mund të provojë dhe natyrisht të dënohet për ato që ka bërë. Përpjekjet për ta lidhur deklaratën e tij me skenarë ndërkombëtarë apo rajonalë janë të dëmshme, pasi asgjë nuk e dëmton më shumë Kosovën se ato që kanë ndodhur. E vërteta është se në Kosovë janë vrarë gazetarë dhe politikanë, janë vrarë kundërshtarë politikë dhe për rivalitete krahinore. Perëndimi dhe faktori ndërkombëtar në përgjithësi i ka parë këto dhe i ka mbajtur shënim. Por më e rënda ka ndodhur. Zbardhja e një vrasjeje s’mund të jetë kurrë më e rëndë për imazhin e një shteti sesa vetë vrasja. Ndaj është mirë që institucionet e Kosovës të inkurajojnë drejtësinë dhe njerëzit për të folur rreth së shkuarës së tyre problematike për të pastruar një histori që mban peng shtetin më të ri të Evropës. Asgjë më të shëndetshme për Kosovën nuk ka se të vetëkorrigjohet përmes ligjit dhe institucioneve të saj shtetërore, duke kaluar me sukses provimin e saj si shteti që meriton një të ardhme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›