Berisha: Zgjedhjet e 28 qershorit, arritja më e madhe e karrierës simeNga TemaPavarësisht akuzave të opozitës për vjedhjen e votave, kryeministri Berisha është shprehur dje se, zgjedhjet e 28 qershorit kanë qenë arritja më e madhe e karrierës së tij
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Berisha: Zgjedhjet e 28 qershorit, arritja më e madhe e karrierës simeNga TemaPavarësisht akuzave të opozitës për vjedhjen e votave, kryeministri Berisha është shprehur dje se, zgjedhjet e 28 qershorit kanë qenë arritja më e madhe e karrierës së tij politike. Gjatë një takimi që ka zhvilluar ditën e djeshme në Lezhë, ku mbahej Kuvendi i Partisë Demokratike, Berisha i ka vlerësuar maksimalisht zgjedhjet. “Zgjedhjet e 28 qershorit janë arritja me e madhe ne karrierën time”, - tha Berisha. Ky i fundit u shpreh se këto zgjedhje janë trashëgimia më e mirë që mund t’iu lërë shqiptarëve dhe se për këtë ndihet krenar. “Ne ia dolëm të votojmë me dinjitetin më të madh të kohës së sotme. Kjo është trashëgimia më e shkëlqyer që iu lëmë shqiptarëve. Ne duhet të jemi krenare për këtë”, - tha Berisha. Sipas kryeministrit, përveçse u arrit që zgjedhjet e 28 qershorit të ishin brenda standardeve, një arritje e madhe ishte edhe fakti që ato u firmosën nga ana e opozitës dhe komisionarët e saj, gjë që sipas tij, nuk ka ndodhur asnjëherë. “Ne duhet të jemi fatlumë se zgjedhjet tona për herë të parë i ka firmosur opozita, me 20 mijë komisionarët e saj socialistë të ndershëm. Prandaj janë zgjedhjet më të bekuara”, - pohoi Berisha. Por, edhe pse zgjedhjet e 28 qershorit janë vlerësuar maksimalisht nga Berisha, opozita vijon që të mos hyjë në parlament. Ky fakt, sipas Berishës, nuk përbën problem për mazhorancën, e cila do të vazhdojë punën e vet, ndërsa nuk ka lënë pa sulmuar edhe kryetarin e opozitës, Edi Rama. Sipas Berishës, mosnjohja e zgjedhjeve nga ana e këtij të fundit vjen nga mendësia e diktatorit Hoxha që gjendet te Rama. Për kryeministrin, mosnjohja e zgjedhjeve nga opozita, jo vetëm që nuk e dëmton procesin, por ajo e nderon.
“Të them dy fjalë zoti Rama, mosnjohja e zgjedhjeve nga ty vetëm na nderon. Kurrë mos i njih. Ti ke lustruar bustet e Enverit tërë fëmijërinë tende, e ke të rrënjosur, kjo është mendësia e bllokmenit, kurse frymëzimi që e shtyn është mafia”, - u shpreh Berisha. Pavarësisht optimizmit dhe vlerësimit të kryeministrit për zgjedhjet e 28 qershorit, OSBE u tha se në një të tretën e qendrave votat u numëruan keq dhe shumë keq. Ndërkohë, opozita vazhdon që mos t’i njohë zgjedhjet, deri në hapjen e kutive, për të parë nëse ka pasur manipulime, ashtu siç ajo pretendon. Berisha është i vendosur për të mos e plotësuar kërkesën e opozitës dhe e ka përqendruar vëmendjen te sulmet personale ndaj kreut të opozitës, Edi Rama.
Sulmet personale ndaj Ramës, gjithë deputetët e PD në kor
Deputetët e Partisë Demokratike kanë ndërmarrë një sulm frontal ndaj kreut të opozitës, Edi Rama, duke përsëritur në kor gjitha akuzat personale që kryeministri Berisha bëri pak ditë më parë ndaj tij. Tashmë duket se ata kanë hyrë në garë kush e shan më shumë Ramën, duke dalë përditë në mediet televizive dhe ato të shkruara dhe duke artikuluar akuzat e formuluara nga Berisha. Që prej ditës së enjte, kur Berisha për më shumë se një orë në sallën e parlamentit artikuloi akuza nga më të ndryshmet për kreun e opozitës, që kanë të bëjnë me jetën e tij private, deputetët e PD nuk kanë lënë ditë pa e sulmuar atë. Madje, duke mos u ndaluar as për festën e Kurban Bajramit apo për festën e Pavarësisë dhe Çlirimit. Në korin e sulmit ndaj Ramës janë përfshirë që nga drejtuesit më të lartë të PD, Jozefina Topalli, Ridvan Bode, Genc Ruli, Astrit Patozi etj., deri në deputetët më të thjeshtë, Flamur Noka, Luçiano Boçi etj. “Zhveshja e bashkëshortes në plazhet e botës, akuzat monstruoze që bën për atësinë e fëmijës së tij, rrahja dhe gjakosja në publik e bashkëshortes së tij, nxjerrja e nënës nga shtëpia e të tjera si këto për cilindo prej nesh bëjnë të qartë karakterin agresiv dhe mentalitetin arkaik e primitiv të zotit Rama. Deklarimet e deputetëve socialistë dhe qetësia e zotit Rama nuk mund të zhbëjnë të gjitha këto të vërteta”, - është akuza që duket se deputetët e PD tashmë e kanë mësuar përmendësh dhe e përsëritin çdo ditë ndaj kreut të opozitës, Edi Rama. “Edvin Rama s’ka menduar kurrë për qytetarët, sepse s’ka menduar kurrë për familjen e tij. S’ka menduar kurrë për familjen e tij, s’ka menduar kurrë për nënën e tij, s’ka menduar kurrë për partneret e tij, s’ka menduar kurrë për gratë e tij. Si të mendojë ky agresor për qytetarët e tij?!” - tha dje në Shkodër Jozefina Topalli. Kjo e fundit, edhe pse pak ditë më parë hapi dyert e parlamentit për një sesion të veçantë, atë të dhunës ndaj grave, është kthyer në fakt në dhunuesen e ish-gruas dhe nënës së kreut të opozitës, duke i përmendur përditë ato. Reagimi i ashpër i kryeministrit Berisha dhe deputetëve të tjerë të PD pas tij erdhi pas protestës treditore që opozita organizoi për hapjen e kutive. Duket se këto sulme kanë për qëllim spostimin e vëmendjes për hapjen e kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit, për ta kthyer atë pikërisht nga kreu i opozitës, Edi Rama, të cilin Berisha dhe deputetët e tij po e paraqesin si një monstër.