E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN i pret fondet Kosovës për këtë vit

PRISHTINE- Kosova nuk do të mund të përfitojë nga fondet e FMN-së për këtë vit. Sic raportojnë mediat kosovare, vendimi është marrë nga vetë FMN, sipas së cilës një marrëveshje e re është arritur mes fondit dhe qeverisë së Kosovës, për një monitorim të rreptë të politikave fiskale por pa patur mundësi që Kosova të ketë qasje në fondet e FMN-se për këtë vit.

Lajmi është publikuar edhe në faqen zyrtare të FMN-së ku njoftohet se marrëveshja 18 mujore e quajtur Stand By Arrangement (SBA), e cila ishte miratuar nga Bordi Ekzekutiv i FMN-së në korrik të vitit 2010, është ndërprerë më 2011. Në deklaratë thuhet se elemente të buxhetit të vitit 2011, në veçanti rritja e madhe e pagave, kanë devijuar nga programi. Si rezultat, nuk do të përfundojë rishikimi i programit".- thuhet në njoftimin e publikuar nga FMN. Qeveria e kryeministrit Thaci është përpjekur ta quaj një fitore të saj arritjen e këtij kompromisi, pavarësisht faktit se fondet e dedikuara në marrëveshjen paraprake mbesin të pashfrytëzuara.

Vetë kryeministri Thaçi ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes me FMN për mbikëqyrje të rreptë të politikave fiskale deri në fund të vitit në Kosovë dhe gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë tha se kjo marrëveshje nuk do të prekë vendimin për rritjen e pagave ndërsa do të vazhdojë edhe ndërtimi i autostradës.

Mosmarrëveshjet e Kosovës me FMN-në kanë të bëjnë me shpenzimet për vitin 2011, në veçanti rritjen e pagave për punojësit civilë. Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës u dakordua me këtë institucion ndërkombëtar që pagat në sektorin publik të rriteshin për 7-8 për qind, por ato u rritën mbi 30 për qind. Kosova u bë anëtarja e 186-të e Fondit Monetar Ndërkombëtar në vitin 2009.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›