E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Vrajës i dërgon ftesë Ramiz Byqmetit!

Ramiz Byqmeti, i plagosur më 17 janar të këtij viti në Ponesh të Gjilanit, është befasuar kur nga postieri ka marrë një ftesë nga Gjykata e Vrajës, për të dëshmuar rreth vrasjes së vëllait të tij, Adem Byqmeti. “Unë e kam refuzuar menjëherë këtë ftesë pa asnjë hezitim sepse nuk dëshiroj të marr pjesë në një gjykim që po mbahet jashtë Kosovës. Unë dhe familja ime kërkojmë nga EULEX-i që vrasësit e 17 janarit të sillen para drejtësisë në Gjilan, aty ku edhe ka ndodhur vrasja. Këto ftesa janë një vrasje e dyfishët e vëllait tonë dhe neve si familje”, tha Ramizi.

Ai është i befasuar që policia dhe Prokuroria e Gjilanit nuk është përkujdesur për të e as që e ka sugjeruar ndokush sesi të veprojë në këtë rast. “As në pyetje nuk më kanë marrë edhe pse e kam parë me sytë e mi vrasjen e vëllait”, tha Ramizi.

Kryeprokurori Jetish Maloku tha për rajonipress se asnjë dëshmitar që lidhet me vrasjen në Ponesh nuk ka nevojë të dëshmojë në Serbi. “Ne kemi kërkuar edhe më herët që ky rast të gjykohet në Gjilan, sepse këtu ka ndodhur vrasja dhe për ne çfarëdo hetimi që ndërmerr ndonjë institucion paralel në Serbi është i pavlefshëm”, tha ai.

I dyshuari kryesor për vrasjen e Adem Byqmetit, Radovan Stojiq, si dhe Ivan Stojiq, i dyshuar për tentim vrasje, janë vetdorëzuar në Gjykatën e Kragujevcit, ku edhe u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Prokuroria Themelore në Gjilan dhe policia kanë lëshuar fletarrest ndërkombëtar për të dyshuarin kryesor.

Menjëherë pas vrasjes është arrestuar nga policia e Gjilanit Momçillo Stojiq, i cili ende ndodhet në paraburgim.

Prokurori i rastit, Afrim Shefkiu ka thënë se dy të dyshuarit kryesorë duhet të përgjigjen për veprën e kryer në departamentin e krimeve të rënda në Gjykatën Themelore të Gjilanit. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›