E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tetova pritje madhështore për Berishën

Në momentin e mbërritjes, Berisha është pritur nga mijëra persona, të cilët ishin mbledhur për ta përshëndetur. Më pas, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me kryetarin e Komunës së Tetovës, zotin Sadi Bexheti dhe drejtues të tjerë të pushtetit lokal.

Duke e konsideruar si historike këtë vizitë të parë të Kryeministrit Berisha në qytetin e Tetovës, Bexheti vlerësoi, gjithashtu,mbështetjen e tij ndaj shqiptarëve kudo që ndodhen. Kryeministri Berisha shprehu falënderimet e tij për mikpritjen e rezervuar, ndërsa theksoi se; “për mua vizita në Tetovë është një ngjarje shumë e rëndësishme e jetës time dhe është një moment për t'u përulur me nderimin më të thellë para këtyre qytetarëve, të cilët me punën, përkushtimin, guximin, mençurinë dhe vizionin e tyre, shndërruan Tetovën në një qytet që u dha shqiptarëve në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi e kudo në botë më shumë krenari dhe më shumë dinjitet”.

Më tej, Kryeministri Berisha vlerësoi se qytetarët e Tetovës me përpjekjet e tyre kanë bërë jo vetëm çdo shqiptar më të lirë, por kanë bërë dhe Maqedoninë më të lirë e më të sigurt.

“Tetova është sot  qyteti i tretë i madh shqiptar, me dy universitete. Kjo është një arritje e madhe për qytetarët e Tetovës dhe mbarë kombin shqiptar. Ne do të bëjmë gjithçka për të vendosur një infrastrukturë, ndër më modernet, të komunikimit midis dy vendeve. Hapësirat e reja të tregut drejt Shkupit, drejt Tiranës, drejt Prishtinës, do të bëjnë të mundur prosperitetin më të shpejtë tuajin dhe të Luginës së Pollogut në tërësi, do të bëjnë të mundur që shumë nga bashkatdhetarët tanë, të cilët kanë shkëlqyer në emigracion, me punën dhe përkushtimin e tyre, të vijnë dhe të ndërtojmë të ardhmen më të shkëlqyer këtu në Tetovë”, tha Berisha. Gjatë qëndrimit atje, kryeministri i Shqipërisë i vlerësua edhe me çmimin e “Lidershipit”. /Start/

                                                                                             2011-11-10 08:56
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›