E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tetovë, Topi takon Thaçin e Ahmetin: Të integrohemi së bashku në BE

TETOVE - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në kuadër të vizitës zyrtare në Maqedoni, zhvilloi sot një takim edhe me Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim të Maqedonisë (BDI), Ali Ahmeti.
Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se zoti Ahmeti falënderoi Presidentin Topi për vizitën dhe vëmendjen që u kushton partive politike shqiptare në Maqedoni dhe rolit të tyre në ndërtimin e raporteve sa më efektive e të afërta midis Shqipërisë dhe Maqedonisë. Në këtë drejtim, Kreu i BDI-së vuri në dukje rëndësinë që sjell vizita zyrtare e Kryetarit të Shtetit shqiptar në drejtim të konsolidimit të marrëdhënieve mes dy vendeve tona, të evidentimit të kontributit të faktorit shqiptar në Maqedoni, si dhe të zbatimit të standardeve evropiane, për të arritur synimin e përbashkët, që sa më parë të jemi pjesë e Evropës së Bashkuar.
Gjatë bisedës, Kryetari i Shtetit shqiptar shkëmbeu mendime me Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim të Maqedonisë (BDI), Ali Ahmeti, për disa prej zhvillimeve të fundit politike në Maqedoni, duke theksuar se "palët duhet të tregojnë gjithnjë maturi e veprim politik të përgjegjshëm dhe se forcimi i dialogut politik mes partive politike shqiptare në Maqedoni do të ndikojë në mënyrë evidente në përballimin e të gjitha sfidave të kohës".
Gjithashtu, Presidenti Topi dhe Kreu i BDI-së, Ahmeti, ndanë të njëjtat ide lidhur me rëndësinë e zhvillimit të një dialogu të mirëfilltë të partive politike shqiptare edhe me partitë maqedonase, për të bërë përpjekje të përbashkëta për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit si dhe për ndërtimin e të ardhmes së sigurt evropiane të të gjithë rajonit.
Presidenti Topi, së bashku me delegacionin zyrtar, udhëtoi më pas drejt vendlindjes së një prej protagonistëve kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, një prej nënshkruesve të Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare dhe Ministrit të Luftës në Qeverinë e Përkohshme të Shqipërisë, Mehmet Pashë Derrallës, në fshatin Gradec të Gostivarit, ku vuri një kurorë me lule në nderim të veprës heroike e intelektuale të këtij shqiptari të shquar, që kontribuoi në vënien e themeleve të shtetit shqiptar.

Topi takon Thacin
Axhenda e vizitës së presidentit Bamir Topi në Maqedoni është zhvendosur sot në Tetovë, ku kreu i shtetit ka zhvilluar një takim me kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi.
Vizita e presidentit shqiptar është shoqëruar me një pritje madhështore nga qindra tetovarë. “Duhet të kemi harmoni dhe bashkëpunim në mënyrë që të integrohemi në BE të gjithë së bashku.”- apeloi presidenti Topi.

Në këtë atmosferë, kreu i shtetit shqiptar ka përshëndetur tetovarët, duke i ftuar të festojmë së bashku edhe 100-vjetorin e pavarësisë.

Presidenti Topi, gjatë vizitës së tij në Tetovë, pritet të takohet me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti. Më pas presidenti do të vendosë lule në memorialin e Ministrit të Mbrojtjes të Qeverisë së Ismail Qemalit, Mehmet Pashë Derallës në fshatin Gradec të Gostivarit. 

TOPI DHE IVANOV PËRUROJNË PANAIRIN “PROMOVIMI I PRODHIMEVE VENDASE DHE INVESTIMEVE TË HUAJA"
Presidenti Bamir Topi dhe homologu i tij maqedonas, Gjorgje Ivanov, kanë marrë pjesë së bashku në çeljen e Panairit “Promovimi i prodhimeve vendase dhe investimeve të huaja”, organizuar nga Dhoma Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore. 

Zyra e shtypit e presidencës bëri të ditur se në këtë aktivitet ishin të pranishëm dhe Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Valon Saraçini, Presidenti i Dhomës Ekonomike të Maqedonisë, Menderes Kuçi, Presidenti Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, përfaqësues nga Kosova dhe Ulqini, etj. 

Duke përshëndetur përurimin e Panairit, Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, vlerësoi këtë veprimtari të veçantë duke vënë theksin tek rëndësia e prodhimeve vendase dhe të rritjes së shkëmbimeve tregtare-ekonomike, sidomos në kuadrin rajonal të organizimit të panaireve. 

Në fund, e mori fjalën Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, i cili falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre, dhe njëkohësisht përgëzoi organizatorët kryesorë për ndërmarrjen e kësaj nisme të ekspozimit të produkteve nga më të ndryshme vendase dhe të promovimit të rëndësishëm të tyre edhe përtej kufijve të Maqedonisë. 

Më pas, Presidenti Topi dhe homologu i tij, Ivanov, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi dhe delegacioni zyrtar shqiptar, ndoqën me një interes të veçantë pavionet dhe stendat me prodhimet e ekspozuara, duke u përshëndetur dhe duke përgëzuar nga afër organizatorët dhe pjesëmarrësit në panair.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›