E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vullnetarizmi pa vullnetarë dhe qeveria si OJQ

Në datën 20 Prill, qeveria urdhëroi organizimin e një aksioni vullnetar për të pastruar Shqipërinë. Si një njeri që vetë është angazhuar në pastrimin e pisllëkut që na ka mbuluar nga maja e malit deri në fund të detit, padyshim që jam i ngazëllyer që kjo që ndodhi. Jo më shumë nga impakti konkret që pati ky veprim sesa nga fakti, se alarmi i ndotjes më në fund mbërriti edhe në zyrat e qeverisë. Çdo kontribut në këtë pikë është shumë i vyer, edhe sikur një thes me mbeturina të mblidhet, është sërish kontribut.

Por, duke patur parasysh se cili duhet të jetë roli i qeverisë në mbarëvajtjen e punëve në një vend, patjetër që duhet të ndalemi dhe të shikojmë se çfarë ndodhi në këtë ditë, të cilën do të preferoja ta quaja dita e kryengritjes kundër mbeturinave. Edhe pse realisht druaj që ajo ishte vërtet një e tillë. Kryeministri Berisha bëri shumë mirë që udhëroi një ditë aksioni, një ditë kur fëmijët lanë shkollat dhe bënë çmundën, zyrtarët lanë zyrat dhe nuk bënë asgjë, ushtarët lanë repartet dhe punuan sa për të gjithë sëbashku ndërsa të tjerët shikuan me qesëndi dhe as denjuan të aforhen në këtë aksion kombëtar. Vetë kryeministri i mblodhi nja dy qese dhe i futi në thesin e zi. Por, çfarë do të ndodhë pas kësaj dhe çfarë prodhoi një sipërmarrje e tillë, e cila u anonçua dhe frymëzua politikisht dhe administrativisht prej më shumë se një muaji?

Së pari, duhet të pyesim: A është kjo detyra e qeverisë? Pra, a është detyrë e qeverisë të organizojë aksione me pahir për të pastruar mbeturinat? Nuk kam asgjë kundër këtij pahiri. Majde, nëse do të më pyesnin, do të isha dakord që ky aksion të zhvillohej çdo ditë të dielë. Me hir ose me pahir, ne shqiptarët duhet të edukohemi për të jetuar pastër, të edukohemi për të mos hedhur çdo gjë që nadel tepër, në shtëpi, në rrugë, në makinë a kudo të ndodhemi. Madje nëse do të më pyesnin, unë do tua vija kusht deri edhe çifteve që martohen, të cilët, që të vinin kurorë duhej të sillnin nga 5 thasë me mbeturina secili, pasi ky pisllën është produkt i ne të gjithëve dhe ne duhe ta shpëtojmë vendin tonë i cili është në kushtet e një emergjence kombëtare në këtë drejtim. Por ajo që duhet theksuar është fakti se nuk është kjo detyra e qeverisë. Sepse ka një pyetje shumë të drejtëpërdrejtë. Nuk ka rëndësi sesa mbeturina u mblodhën në këtë aksion, por ku u dërguan ato që u mblodhën? Doni ta besoni se një pjesë prej atyre që janë mbledhur fshatrave e qyteteve nga ky aksion kanë përfunduar në lumë? Doni ta besoni se një pjesë kanë mbetur lëndinave, ashtu nëpër thaës? Doni ta besoni se një pjesë kanë përfunduar nëpër ato pirgje që qelben gjatë dekompozimit mu pranë qyteteve? Doni ta besoni se janë marrë nga një përrua për tu hedhur në një përrua tjetrë?Po, sepse nuk ka ku të shkojnë tjetër, sepse nuk ka vendgrumbullime mirëfilli, nuk ka impiante riciklimi apo djegiejeje teknologjike. Shqipëria është kaq shumë e pistë sepse mungon pikërisht kjo infrastrukturë mjedisore, sepse Shqipëria është i vetmi vend në Europë, pa asnjë diskutim, që mbeturinat i shkarkon lumenjve e përrenjve, seopse nuk ka infrastrukturë, dhe kjo është detyra e qeverisë. Detyra e qeversië është të investojë në këtë fushë dhe jo të urdhërojë nxjerrjen e njerëzve nëpër rrugë për të pastruar. Detyra e qeverisë është të vendosë dhe kontrollojë zbatimin e ligjeve kundër ndotjes. Nëse do të kishte landfilde dhe impinate djegiejeje teknologjike, nëse do të kishte ligje dhe do të penalizohej qytetari që hedh mbeturinat nga ballkoni apo makina, fshatari që i hedh tek përroi i fshatit, bashkia dhe komuna që i shkarkon në lumë, biznesmeni që hedh në pyll inertet e kompnaisë së tij, ky vend nuk do të ishte kaq i pistë dhe nuk do të ishte e nevojshme që qeveria të urdhëronte të gjithë të dilnin në aksion. Në datën 20 Prill qeveria u shndërrua në OJQ.

Së dyti: A ishte vullnetarizëm ajo që ndodhi në datën 20 Prill? Për ta kuptuar këtë, duhet të kemi parasysh një gjë. Nxënësit dolën në rrugë sepse u urdhëruan nga mësuesit dhe ata punuan aq sa mundën me pasionin dhe çiltërisnë e tyre. Komike ishte ushtria e nëpunësve të kollarisuar që dolën një shëtitje sa për tu dukur, meqë ishte urdhër, dhe nuk zunë gjë me dorë. Të vetmit që punuan kudo ku i dërguan ishin afektivët e ushtrisë dhe policisë. Ndërsa banorët e tjerë, që nuk kanë asnjë varësi direkte nga pushteti, nuk bëgenisën të bashkohen. Dhe kjo është një tregues po kaq i shëmtuar sa edhe vetë ndotja. Dhe kjo e ka një kuptim. Nuk mund të jenë të gjithë vullnetarë. Nën regjimin komunist, njerëzit dërgoheshin në punë vullnetare por ajo nuk ishte vullnetare. Vullnetarizmin e ushtron ai që e ndjen dhe e përjeton si kënaqësi dhe jo ai që e bën nga frika se mos e heqin nga puna. Pikërisht për këtë arsye kjo metodë nuk mund të prodhojë efektivitet afagjatë. Mbi të gjitha vendimi i Berishës për këtë aksion erdhi pasi dy levizje, me mbështetje diplomatike të huaj, ishin inicuar për në datën 22 Prill, ditnë Botërore të Tokës dhe 9 Maj. Dhe berishas u doli të dyjave përpara duke vendosur datën 20.

Së treti: Çfarë do të ndodhë në të ardhmen? Duke filluar që atë ditë, ata që ishin dhe nuk ishin në aksionin e detyruar të qeverisë, do të vazhdojnë të sillen njësoj me mjedisin. Njësoj do të hedhin kanacet nga makina kur udhetojnë, njësoj do të hedhin plehrat rrugëve dhe njësoj do të jenë indiferentë ndaj asaj që bëjnë të tjerët. Ajo që duhet bërë, është marrja e masave ligjore. Le të mos shkojmë më larg se tejk fqinji ynë,Mali i Zi, një republikë ekologjike, pasi jeton në sajë të turizmit. Nëse udhëtoni deri majë alpeve të zeza të tij, do të sikoni se ka qese me mbeturina dhe kosha në çdo rrugë, me apo pa banorë. Do të shikoni se askund nuk ka një bisht cigareje të hedhur, përjashtuar rrugës që të sjell në doganat me Shqipërinë. Dje kjo ndodh sepse, bashkë me edukatën, edhe forcuar dhe zbatohet edhe ligji. 50 Euro gjobë për cdo gjë që mund të hedhesh në rrugë. Ne hedhin nga ballokoni tërë orenditë e vjetra të shtëpisë kur i ndërrojmë, dhe askush nuk të troket në derë të të thotë: Keni shkelur ligjin! Sepse ende nuk e dime nëse shkel apo jo ligj kur hedhe mbeturina rrugëve dhe nëse po, cili nëpunës i shtetit duhet të na ndëshkojë për këtë. Pikërisht me këtë duhet të merret qeveria.

Mentor Kikia*

Drejtues i Korpusit Shqiptar të Vullnetarëve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›