Ndryshimi i emrit të shkollës, intelektualët peticion kundër
BURREL – Ish-kolegë të Ilia Qiqit, intelektualë, historianë, mësues në pension, qytetarë të Burrelit e banorë të Lisit kanë përgatitur një peticion të cilin ia kanë dërguar ministrit të Brendshëm Bujar Nishani, prefektit të Dibrës Xhafer Seitit dhe Këshillit të Bashkisë në Burrel. Kryefjala e peticionit është ndalja e dhunës ndaj simboleve historike në rrethin e Matit. Nënshkruesit e tij sqarojnë se nëpërmjet medias janë njohur me tentativën e Këshillit të Bashkisë Burrel për të hequr emrin e Ilia Qiqit nga shkolla 9-vjeçare e lagjes “Pjetër Budi”. Në peticion shkruhet: “Ne, një grup intelektualësh matjanë që e njohëm, jetuam dhe punuam me Ilia Qiqin, duke shprehur dhe opinionin e shumë qytetarëve të Burrelit, banorëve të komunës Lis dhe mbarë matjanëve, jemi shumë të indinjuar, prandaj nëpërmjet këtij peticioni e injorojmë plotësisht nismën për marrjen e këtij vendimi. Kërkojmë njëherazi e me urgjencë heqjen dorë nga kjo tentativë e rrezikshme politiko-shoqërore, duke argumentuar se Ilia Qiqi ra në krye të detyrës dhe për këtë akt është shpallur hero. Nisma e disa këshilltarëve të djathtë është gjyq politik që i bëhet këtij heroi 22-vjeçar”, pohohet në peticionin e firmosur nga 20 intelektualë. Duke dashur të ndalin vendimmarrjen e Këshillit Bashkiak nënshkruesit e peticionit nuk hezitojnë të akuzojnë se: “Ky është një qëndrim revanshist që tenton të përbaltë figurën e ndritur të një djaloshi me kombësi greke, që punoi me nder për Shqipërinë dhe për Matin. Kjo është vdekja e dytë që tentohet t’i bëhet nga këshilltarë të papërgjegjshëm të Bashkisë Burrel, heroit Ilia Qiqi. Është një dhunim flagrant që i bëhet kujtesës historike të popullit të Matit, të Gjirokastrës dhe të gjithë Shqipërisë”. h.p