E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitën me dhunë të riun, arrestohen 4 persona

 

SARANDE - Policia e Sarandës arrestoi dje katër persona, të cilët dyshohet se janë autorë të vjedhjes me dhunë të një 21–vjeçari në këtë qytet. Me akuzën e vjedhjes me dhunë në bashkëpunim, blutë arrestuan Dorian Zykën, 21 vjeç, Luan Zekon, 22 vjeç, Vilson Çaushin, 24 vjeç, që të tre banues në Durrës, si dhe Edmond Kenon, 21 vjeç, banues në fshatin Buz të Tepelenës. Sipas policisë, personat e maskuar i kanë dalë përpara në një prej rrugicave të Sarandës E.Qerretit. Ata i kanë kërkuar t’u jepte paratë dhe gjithçka kishte me vete. Por rezistenca, djalit 21-vjeçar i ka kushtuar me dhunë. Në bashkëpunim, katër autorët i kanë marrë atij një sasi parash prej 100 eurosh, 80 mijë lekë si dhe aparatin celular. Pas ngjarjes, Qerreti ka denoncuar në policinë e Sarandës. Blutë në bashkëpunim me Policinë e Vlorës arritën të identifikonin autorët dhe t’i vinin ata në pranga dje, vetëm një ditë pas ngjarjes së ndodhur. Si pasojë e përleshjes me grabitësit, 21-vjeçari Qereti mësohet se ka marrë disa dëmtime në trup, por pa pasoja për jetën. Sipas policisë, i riu nga Karbunara e Lushnjës ka pohuar se gjendej në Sarandë pasi do të nisej për të punuar në shtetin grek. Natën e ngjarjes, ai ishte nisur për t’u strehuar tek një nga hotelet e qytetit, kur është përballur me personat që e grabitën në mënyrë të dhunshme.                                                                       q.b/sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›