E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teuta përmbys Apoloninë në Durrës, ngjitet e dyta

TIRANE-Teuta ka përmbysur Apoloninë në Durrës dhe është ngjitur në vendin e dytë, kur mbeten pastaj edhe tri ndeshje në Kategorinë Superiore.

Me këtë fitore, Teuta sheh më afër pjesëmarrjen në Ligën e Europës, kjo edhe falë kalendarit të favorshëm që kanë durrsakët në ndeshjet e fundit. Teuta ka vuajtur shumë ndaj skuadrës fierake, ndryshe nga sa pritej, madje për pak mund të bënte “harakiri” dhe të kryente një hap të kushtueshëm fals kur nuk duhej në lidhje me luftën për vendin e dytë. Durrsakët e kanë mbyllur pjesën e parë në disavantazhin 1-0, falë asaj penalltie të shkaktuar nga mbrojtja vendëse dhe e kthyer në gol nga Andi Ribaj, ndërsa me fillimin e fraksionit të dytë ka rikthyer ekuilibrin rezultativ Mancaku, po nga pika e bardhë. Kryesori Hoxha ka akorduar kësisoji dy penallti në këtë sfidë, nga një për secilën skuadër, ndërkohë që vetëm dy minuta para mbarimit të kohës së rregullt ka ardhur edhe shpëtimi për bregdetarët. Një aksion i bukur, me iniciator Tefik Osmanin, që del me topin nga mbrojtja në sulm, finalizohet me një pasim të përpiktë tokazi për Daniel Xhafajn. Vlonjati nuk gabon, por me nuhatjen e një sulmuesi të spikatur shënon dhe i jep fitoren skuadrës së tij.

Ndërsa Kastrioti ka fituar me një gol të Kalarit, duke siguruar kështu qëndrimin në Superligë përpara kohe dhe duke luajtur i qetë në sfidat e mbetura.

TË DIELËN
KASTRIOTI – LUFTËTARI 1-0
Kalari 68’
TEUTA – APOLONIA 2-1
Mancaku 47’ (11-m), D. Xhafaj 88’ / Ribaj 8’ (11-m)
FLAMURTARI- SKËNDERBEU (17:00)
BESA – KUKËSI (17:00)

TË SHTUNËN
SHKUMBINI – BYLIS 2-1
Dervishi 58’, Lluca 84’ / Bakiu 25’
TOMORI – LAÇI 2-0
G.Arbri 25’, Sulejmani 45’
TIRANA – VLLAZNIA 1-0
G.Lika 48’ (11-m)

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›