E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tevez, si Messi e Rooney

Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini ka ngacmuar Sir Alex Fergusonin duke thënë se Carlos Tevez është bërë njëri prej tre sulmuesve më të mirë në botë, pas largimit nga Old Traffordi. Mancini mendon se Tevez është në kategori të njëjtë me yjet Lionel Messi dhe Wayne Rooney.

Tevez 26 vjeç është duke kaluar sezonin e tij më të mirë në karrierë, derisa përgatitet për përballjen me ish-klubin e tij në derbin e Manchesterit, të shtunën. Ai u largua nga Djajtë e Kuq pasi Ferguson nuk mendoi se ia vlente të paguante 25 milionë funta sa ishin kërkuar për reprezentuesin argjentinas. Mirëpo, shpërthimi i tij këtë sezon është lajm i keq për Manchester Unitedin dhe Mancini beson se Tevez do të përmirësohet edhe më tepër.

“Carlos tashmë është futbollist i rëndësishëm për ne, por mund të përmirësohet në vitin e ardhshëm. Ai është përmirësuar edhe këtë vit, pasi kurrë më parë nuk ka shënuar 28 gola. Jam i lumtur rreth kësaj. Kur përcaktoni futbollistët më të mirë, ju zgjidhni Rooneyn, Messin dhe Tevezin. Messi është më i mirë për momentin, por Tevez dhe Rooney janë afër, shumë afër”, deklaroi Mancini për tabloidin anglez, The Sun.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›