Thaçi: Kosova e ka përmbyllur dialogun për energjinë dhe telekomin

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i konsideron të përmbyllura çështjet e marrëveshjeve me Beogradin për energjetikën dhe telekomunikacionit.
Këto komente, Thaçi i ka bërë gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ku ai ka folur në lidhje me takimin e fundit të zhvilluar në Bruksel me homologun e tij nga Serbia, Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton.
“Sa i përket energjisë dhe telekomunikacionit, për Kosovën kjo çështje është përmbyllur, e po ashtu edhe për Bashkimin Evropian dhe baroneshën Ashton. Presim deri më 8 gusht që këto marrëveshje t’i pranon edhe Serbia”, është shprehur Thaçi, transmeton REL.
Ndryshe, ai e ka vlerësuar pozitivisht këtë fazë të zbatimit të marrëveshjes në terren. Ndërkaq sërish ka ftuar serbët e komunave veriore që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale të 3 nëntorit. /Indeksonline/