Thaçi: Kosova shkon e përgatitur mirë në takimin e nëntë

(E plotësuar) Kryeministri i Kosovës, pak para nisjes në Bruksel, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, i ka siguruar të gjithë qytetarët se Kosova nuk do të lëvizë nga pozicionet e saj.
“Ju kemi përgjigjur pozitivisht ftesës së Ashton, duke respektuar angazhimet tona kushtetuese e ligjore, marrëveshja është domosdoshmëri e ndërtimit të fqinjësisë së mirë në mes të shtetit të Kosovës dhe të gjitha vendeve të rajonit.Shpresoj që Beogradi është larguar nga ngurtësia që ka pasur nga takimet e fundit”, ka thënë Thaçi.
Ai ka theksuar se adresa e vetme për marrëveshje dhe negociata është në Bruksel nën udhëheqjen e Baroneshës Ashton.
Thaçi ka ripërsëritur se pozicioni i Kosovës është mëse i qartë, “pozicion i mbështetur në Kushtetutën e Kosovës dhe standardet evropiane”.Ai është shprehur i vendosur se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive për asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Ne udhëtojmë me qëllimin më të mirë, që të arrihet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Me arritjen e marrëveshjes nuk do të fitojë vetëm Kosova, do të jetë mirë edhe për Serbinë dhe për gjithë rajonin në kuadër të perspektivës euro-atlantike”, ka shtuar Thaçi.
-----------
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka bërë të ditur përmes një komunikate se ka ftuar kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, të takohen në Bruksel të mërkurën, më 17 prill.
"Kam kërkuar nga ta të vijnë në një frymë konstruktive, të gatshëm për të eksploruar opsionet e ndryshme dhe për t'u pajtuar mbi një kompromis të ndërsjellë", citohet të ketë thënë baronesha Ashton.
-------
Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga kryeministri Hashim Thaçi është nisur për Bruksel. Konfirmimin për vazhdimin e bisedimeve e ka bërë koordinatori politik Blerim Shala dhe këshilltari politik i kryeministrit, Bekim Çollaku. Ata kanë thënë se marrëveshja ende nuk është arritur, por për këtë do të diskutohet në Bruksel.
Ndërkohë për në Bruksel raportohet se do të niset edhe kryeministri serb Ivica Daçiq.
Mediat beogradase shkruajnë se negociatorët serbë do të shkojnë në Bruksel me propozimin që nga marrëveshja të hiqet pjesa, sipas të cilës, Mitrovica jugore do t’i bashkohet Mitrovicës veriore. Por nuk dihet nëse kjo do të mund të pranohet pasi që pala kosovare ka deklaruar disa herë se nuk do të lëvizë nga pozicioni.
-----------------
Nesër, vazhdojnë bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit.
Burime të Indeksonline mësojnë se nesër delegacionet udhëtojnë për në Bruksel, për një takim të pa paralajmëruar më parë. Me gjasë palët kanë rënë dakord për marrëveshje.
Bisedimet dështuan në fillim të këtij muaji, pasi që Beogradi refuzoi firmosjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Pika që ka bllokuar marrëveshjen është veriu i Kosovës dhe kërkesa serbe për autonomi të gjërë./Indeksonline/