E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Marrëveshja do reflektohet në bashkëpunimin mes 2 vendeve

PRISHTINE - "Marrëveshja Kosovë-Serbi, dua të shpresoj që do të reflektohet në kuptimin pozitiv, integrues dhe bashkëpunues në të gjitha sferat në raportet mes dy kombeve, shqiptarëve dhe serbëve",- tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Pas kthimit nga Brukseli, Thaçi doli në një konferencë për shtyp për të informuar mbi marrëveshjen e arritur dje në raundin e 10-të të dialogut në nivel të lartë me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Kjo marrëveshje nuk është vetëm në interesin e Kosovës apo të Serbisë, është në interesin e gjithë rajonit, sepse gjithë rajoni ka qenë në relacione të ndera për shkak të raporteve thjesht mosbashkëpunuese mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Thaçi.
“Ky ka qenë konflikti i fundit që po përmbyllet nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë”, theksoi ai.

Kryeministri Thaçi tha se Kosova ka nënshkruar marrëveshje edhe në bisedimet në Rambuje edhe në Vjenë, marrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare, ku në të dyja rastet Serbia ka refuzuar, dhe kujtoi zhvillimet që pasuan e ndodhën drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Këtë proces bisedimesh e zhvilluam në një realitet tjetër, kur Kosova është vend i pavarur dhe sovran, i njohur nga rreth 100 shtete, kur negociatat janë zhvilluar në nivel të barabartë dhe kur marrëveshja nënshkruhet në mes kryeministrave të dy shteteve”,- theksoi kryeministri Thaçi.

Duke i'u përgjigjur pyetjeve të tjera të mediave, mes tjerash rreth njohjes reciproke që nuk ndodhi nga këto bisedime, kryeministri Thaçi tha se “unë dokumentin e kam nënshkruar si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe z. Daçiç e ka nënshkruar dokumentin si kryeministër i Qeverisë së Serbisë. Prandaj, Kosova është vend i pavarur dhe sovran dhe Serbia është sovrane, dhe nënshkruese si garante ka qenë Baronesha Ashton në mbështetje të vazhdueshme të SHBA-ve dhe të NATO-s”, - tha kryeministri kosovar. Ai pritet të njoftojë për marrëveshjen Kosovë-Serbi nesër në mbrëmje në një seancë të Kuvendit të Republikës Kosovës.

(er.nu/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›