E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komuna nuk do lejojë objektet e përkohshme në sheshe

Komuna e Prishtinës i njofton të gjithë bizneset që gravitojnë në Sheshin “Ibrahim Rugova” dhe në Sheshin “Zahir Pajaziti” se nuk do të mund të vendosin objekt të përkohshme, tenda, karrige dhe çfarëdo objekti tjetër në këto sheshe, pasi që këto sheshe janë në ndërtim e sipër dhe për të cilat ende nuk është bërë pranimi teknik.

“Pas përfundimit të punimeve në këtë dy sheshe, komuna do t’i trajtoj kërkesat e bizneseve, por shfrytëzimin i hapësirës do të bëhet në mënyrën e cila nuk do të pengoj lëvizjen e qytetarëve dhe nuk cenon tersin dhe dukjen e shesheve dhe gjelbërimit aty”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Komuna e Prishtinës u bënë qartë të gjithë pronarëve të lokaleve hoteliere që ushtrojnë veprimtaritë e tyre në shesh, se uzurpimi hapësirës publike është i paligjshëm dhe se Komuna e Prishtinës nuk do të jap leje për shfrytëzimin e këtyre hapësirave deri në përfundimin e punëve dhe pranimin teknik të sheshit “Ibrahim Rugova”.

Në të kundërtën, të gjithë ata që nuk respektojnë rregulloret e Komunës do të merren masat e parapara ligjore. Komuna e Prishtinës i siguron të gjithë qytetarët e saj se para se të marrë ndonjë vendim për dhënien e hapësirave publike në shfrytëzim, në rend të parë do të ketë parasysh interesin e qytetarëve.

Sheshet janë ndërtuar dhe po ndërtohen për qytetarët dhe ato u takojnë qytetarëve, prandaj interesi i qytetarit është në rend të parë dhe jo ai i disa individëve që kanë për qëllim përfitimet personale. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›