Thaçi e Daçiq nuk shkojnë në takimin e Këshillin e Sigurimit

Këtë të enjte, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të shqyrtojë raportin më të ri mbi zhvillimet në Kosovë të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki-moon. Një takim ky që do të shënojë përballjen e radhës të ministrave të jashtëm të Kosovës dhe të Serbisë, duke reflektuar nga këndvështrimi i vendeve të tyre zhvillimet gjatë kësaj periudhe.
Edhe pse ishte njoftuar më parë, në takim megjithatë nuk do të marrë pjesë Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Sipas burimeve në New York, ishte Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ai që anuloi ardhjen dhe kjo mund të jetë edhe arsyeja që kryeministri kosovar vendosi të mos vinte në një takim në të cilin nuk do të jetë homologu i tij.
Në takimin në New York, Kosovën do ta përfaqësojë ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ndërsa do të jetë kjo mbledhja e fundit e udhëhequr nga Argjentina, e cila ishte kryesuese e radhës për këtë muaj, duke ja dorëzuara udhëheqjen në shtator SHBA, transmeton rtk.
Raporti më i ri i Sekretarit Ban përfshin periudhën e zhvillimeve prej 23 prillit deri më 15 korrik, ku ai vlerëson hapat pozitivë të Prishtinës dhe Beogradit që, siç thotë ‘çuan në marrëveshjet historike dhe në një progres themeltar drejt normalizimit të marrëdhënieve’.
Ai megjithatë nënvizon se ‘zbatimi i marrëveshjeve në veri të Kosovës do të jetë një sfidë kryesore dhe në këtë drejtim angazhimi i Beogradit me serbët e Kosovës mbetet i rëndësishëm,’ ndërkaq edhe ‘shtrirja e dorës nga ana e Prishtinës duke i ofruar siguri popullsisë lokale është po aq e rëndësishme’.
Ndër çështjet që duhet të kenë prioritet për t’u zgjidhur, Sekretari i Përgjithshëm përmend “rastet e pazgjidhura të personave të zhdukur dhe sjellja para drejtësisë e të gjithë atyre që janë përgjegjës për krime të luftës’.
“Ka ende edhe 1,726 persona që evidencohen si të zhdukur nga konflikti i Kosovës,” thuhet në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm, i cili këtë plagë të rëndë të luftës sikur e paralajmëron si një çështje që do zgjidhje dhe që duhet të jetë pjesë e pashmangshme në bisedimet e mëtejme.