Thaçi e Krasniqi në rrugë të ndara

Jakup Krasniqi ka vendosur t’i ndajë rrugët me Partinë Demokratike të Kosovës.
Përveç mungesës në procesin zgjedhor, Krasniqi nuk ka marrë pjesë as në mbledhjen e Këshillit Drejtues ku është vendosur për datën e Kongresit Zgjedhor të PDK-së.
Në një prononcim për Express, Kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se nuk ka shkuar të enjten në hotelin “Victory” për shkak se takimi ishte ftuar si një drekë pune pa u bërë e ditur se aty do të merret ndonjë vendim.
“Kam qenë i njoftuar për një drekë pune, por unë e kam pasur agjendën e zënë”, ka arsyetuar Krasniqi mungesën në mbledhjen ku është vendosur data e zgjedhjeve në PDK.
Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së ka insistuar se zyrtarët e kësaj partie nuk e kanë njoftuar se do të merret vendimi për Kuvendin Zgjedhor.
Ai është pajtuar me konstatimin se vendimi është kontrabanduar.
“Ata që e kanë caktuar datën e kanë marrë përgjegjësinë që nuk e kanë njoftuar si mbledhje të rregullt të Kryesisë dhe ajo duhet të thirrej disa ditë përpara. Se pse po bëhet kjo më mirë do të tregojnë ata tjerët që po e bëjnë në këtë formë”, ka thënë Krasniqi.
Raportet e Krasniqit dhe Hashim Thaçit kanë vazhduar të mos jenë të mira. Madje, Kryeministri dhe Kryeparlamentari as nuk janë duke komunikuar prej se u publikuan përgjimet, në të cilat Krasniqi identifikohet si “Jakupovski”.
Në anën tjetër, Basri Musmurati ka thënë se nuk dëshiron t’i komentojë deklaratat e Jakup Krasniqit, por se procesin zgjedhor në PDK e ka cilësuar si të rregullt.
Ai ka thënë se është e kuptueshme që në një proces kaq të madh zgjedhor të ketë edhe disa të pakënaqur.
“Nuk dua të komentoj fare deklaratat e tij. Unë po e them një realitet se probleme nuk kemi pasur në zgjedhje. Shtyrjet janë krejt normale në 760 nëndegë dhe në 701 seksione janë mbajtur zgjedhje. Në krejt këtë proces pa dal ndonjë telashe e vogël është e pamundshme. Nuk kemi probleme që e dëmtojnë procesin zgjedhor të PDK-së ”, ka thënë Musmurati.
Edhe nënkryetari për çështje organizative, Rrustem Mustafa, ka thënë se procesi zgjedhor në PDK ka kaluar mirë, me gjithë pakënaqësitë që janë shfaqur në disa degë.
“Ka vende ku ka pasur pakënaqësi, por ato probleme do të tejkalohen. Ka pasur bisedime mes nivelit lokal dhe qendror dhe ato probleme do të tejkalohen”, ka thënë Mustafa./Indeksonline/