Thaçi është "dashuruar" në bashkëpunëtoren e Daçiqit

Megjithë vështirësinë dhe seriozitetin e bisedimeve ndërmjet dy kryeministrave në Bruksel, nën kontrollin e Catherine Ashton, takimi i gjashtë i tyre si duket ka kaluar në atmosferë të shkëlqyeshme. Të paktën sa i përket Hashim Thaçit, i cili nuk e ka shkëputur shikimin nga përkthyesja e Daçiqit, Tijana Vasilijeviq-Damjanoviq. Për këtë dëshmojnë edhe fotot nga takimi katërorësh, gjatë të cilit Thaçi nuk e ka hequr shikimin nga zonja me sako të kuqe, që rrinte ulur buzë Daçiqit, shkruan gazeta serbe Kurir.
Sipas kësaj gazete, derisa kryeministri serb ishte i përqendruar në temë, Thaçi vëmendjen e kishte drejtuar nga bashkëpunëtorja e Daçiqit dhe tërë kohën buzëqeshte si i dashuruar.
Mirëpo, Tijana, e cila është filologe e diplomuar e gjuhëve skandinave, dhe e cila është përkthyese shembullore edhe për gjuhën angleze, është e martuar dhe nuk ka treguar simpati ndaj Thaçit, shkruan kjo gazetë sipas kushedi çfarë burimi, pasi gazetarët aty nuk kanë pasur qasje, kurse edhe fotoreporterët kanë mundur të bëjnë foto vetëm në fillim të takimit për disa minuta. Madje edhe në dy fotot që i sjell kjo gazetë edhe përkthyesja e ka shikuar Thaçin dhe ka buzëqeshur, sikundër edhe shumica e pjesëmarrësve të tjerë të takimit./Indeksonline/