E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Supreme kthen në rigjykim një rast të krimit të organizuar

Gjykata Supreme e Kosovës e ka kthyer në rigjykim në shkallën e parë një rast që lidhet me krim të organizuar dhe shpërndarje të narkotikëve. Njëri nga avokatët mbrojtës, Shemsedin Piraj tha Kolegji i Gjykatës Supreme, ka kthyer në rigjykim lëndën e Dervish Bal, Muhamer Qerkini, Danush Dauti, Muhamet Shala, Ramadan Qerkini dhe Hevzi Dauti, të gjithë të dënuar për krim të organizuar dhe blerje, posedim e shpërndarje të narkotikëve të rrezikshëm, raporton rajonipress.

Ky grup është dënuar nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë: Dervish Bal dhe Muamer Qerkini me nga 11 vjet, Danush Dauti me 3 vjet, Muhamet Shala me 6 vjet, kurse Ramadan Qerkini dhe Hevzi Dauti janë liruar nga akuza.

Mbrojtësi i të akuzuarit Dervish Bal, avokati Bahtir Troshupa ka kërkuar që rastin ta shqyrtojë EULEX-i, me arsyetimin se i akuzuari është shtetas i Turqisë.

Shemsedin Piraj, avokat mbrojtës i Muhamer Qerkinit, ka kërkuar që Gjykata Supreme e Kosovës ta anulojë aktgjykimin e kundërshtuar dhe lëndën për vendim të ri ose për rigjykim t`ia kthejë gjykatës së shkallës së parë apo të akuzuarit t`i shqiptojë dënim më të butë.

Pasi ka dëgjuar vërejtjet e mbrojtjes, Gjykata Supreme ka konstatuar se kërkesat e tyre për mbrojtje të ligjshmërisë janë të bazuara./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›