E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi fton Tadiçin në Prishtinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ftoi sot presidentin e Republikës së Serbisë, Boris Tadiç, për një takim në Prishtinë, duke vlerësuar se është koha "të shtrëngojnë duart dhe të nisin krijimin e raporteve të fqinjësisë së mirë e jo raporteve të luftës së ftohtë". Thaçi i bëri këtë ftesë Tadiçit nga Çagllavica, një lokalititet i banuar me serbë në periferi të Prishtinës, ku kryeministri mori pjesë në debatin me temën "Çështjet e komuniteteve dhe procesi i kthimit" organizuar nga Qendra e Medias atje. "Ju e dini, Beogradi çdo ditë kërkon edhe pranga edhe qeli për mua personalisht. Por, e ftoj presidentin Tadiç, në vend të prangave dhe qelive, të vijë në zyrën time për të shtrënguar duart në zyrën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, dhe për bashkëpunim ndërshtetëror. Ky është vendimi më i mirë, më i drejtë që mund të bënte presidenti Tadiç për paqen e stabilitetin në rajon, për Serbinë, për komunitetin serb në Kosovë, për të ardhem tonë euroatlantike", theksoi kryeministri Thaçi. Duke iu dejtuar komunitetit serb në Kosovë, Thaçi nënvizoi se Republika e Kosovës është vend i të gjithëve, pa dallim etnie, dhe qeveria është e përkushtuar për kthimin në vend të të gjitha komuniteteve, e në veçanti të serbëve të Kosovës që ata të ndihen sigurt. Bashkë me kryeministrin Thaçi në Çagllavicë ishte edhe një nga dy ministrat serb të qeverisë së Kosovës, ministri për Kthim dhe Komunitete, Sasha Rashiç dhe këshilltari i lartë i kryeministrit për çështje të komuniteteve, Srgjan Sentiç, po ashtu i komunitetit serb.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›