Hyseni:GJND në favor të pavarësisë

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, është optimist se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të jetë në favor të së drejtës së popullit të Kosovës për të shpallur pavarësinë. Në një intervistë për "Zërin e Amerikës", Hyseni ka thënë se, çështja e pavarësisë së Kosovës dhe çështja e njohjes së kësaj pavarësie nga vendet e ndryshme të botës është çështje që ekskluzivisht u rezervohet liderëve politik dhe vendimeve politike.
"Nuk është çështje ligjore, nuk është çështje që ka të bëjë me aspekte të ndryshme të ligjshme ose jo të ligjshme, është çështje e vullnetit të një populli për të qenë i lirë dhe i pavarur, çështje e të drejtës së atij populli për të qenë i lirë dhe i pavarur, dhe gjithsesi që Kosova me shumë çka e ka merituar dhe e meriton pavarësinë e saj". "Unë nuk do të them më shumë sepse janë çështje delikate që kanë të bëjnë me paraqitjen e rastit në gjykatë dhe nuk duam të rrezikojmë të deklarojmë çfarëdo qoftë që do ta dëmtonte procesin e Kosovës në këtë Gjykatë", ka thënë ai.