Përleshje e armatosur mes policisë e hajdutëve

Të shtëna armësh janë dëgjuar mbrëmë në fshatin Kosh të Istogut. Në rast ka qenë e përfshirë Policia e Kosovës me një grup hajdutësh, të cilët kishin vjedhur një traktor në një fshat të komunës së Klinës.
Nga përleshja e armatosur mes policisë dhe hajdutëve nuk është lënduar askush. Sipas policisë, të dyshuarit e kanë braktisur traktorin e vjedhur dhe kanë ikur malit këmbë.
“Policia e stacionit policor në Klinë është njoftuar mbrëmë pasmesnate, se në fshatin Berkovë të komunës së Klinës, qytetarit R. J. (1956 - serb/kosovar), i ishte vjedhë një makinë bujqësore (traktor) nga oborri i tij. Pas këtij njoftimi Policia menjëherë ka arritur në vendin e ngjarjes duke filluar hetimet konform ligjit dhe udhëzimeve në fuqi, por gjithsesi duke filluar edhe punën kërkimore përmes aktiviteteve të saj në teren. Andaj gjatë patrullimeve dhe punëve kërkimore njësitet policore të stacionit Policor të Klinës rreth orës 02:00 identifikojnë një makinë bujqësore në lëvizje në fshatin Kosh/Istog, ku menjëherë tentojnë të ndalojnë”, thotë rreshter Teki Sylaj, zyrtar për informim në Policinë rajonale.
Pas lajmërimit/thirrjes nga ana e policisë që vozitësi të ndalet, ai ju kundërvihet patrullës policore me armë zjarri.
“Duke parë se situata është në rrezik për jetën e zyrtarëve policor edhe policët i kundërpërgjigjen dhe për këtë menjëherë në ndihmë i shkojnë edhe njësitet patrulluese të Stacionit të policor të Istogut. Por nga ky shkëmbim zjarri që ishte i shkurtër nuk kishte të lënduar nga asnjëra palë, ndërsa të dyshimtit duke shfrytëzuar terrenin malor dhe errësirën kanë arrit të largohen nga vendi i ngjarjes këmbë. Makina bujqësore ka rezultuar të jetë ajo e vjedhur orë më par në fshatin Brekovë të Klinës”, tha rreshteri Sylaj.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet përkatëse të policisë së Kosovës, përfshirë edhe njësinë K-9.
Ky rast është nën hetim të njësisë së krimeve serioze në kuadër të Drejtorisë regjionale Pejë dhe gjithnjë në koordinim me prokurorin e shtetit është marr dhe vazhdon të merret çdo veprim./Indeksonline/