E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi ndërhynë edhe në përzgjedhjen e kandidatit të PDK-së për kryetar të Prizrenit

Lideri i PDK-së Hashim Thaçi ka marrë vendim që cilido kandidat që do të zgjedhet kryetar i Degës së PDK-së në Prizren, nuk do të gëzojë të drejtën që në zgjedhjet lokale të jetë edhe kandidat për kryetar të Prizrenit.

Thaçi këtë vendim e ka prezantuar edhe para anëtarëve të Këshillit Drejtues, i cili dy javë më parë nuk arriti të zgjedh Kryesinë dhe kryetarin e ri.

Burimet e "PrizrenPress-it" bëjnë të ditur se Thaçi në mbledhjen e Këshillit Drejtues, ka qenë i prerë se kryetari i Degës nuk do të jetë kandidat për kryetar të Prizrenit.

“Thaçi e ka bërë të ditur në mbledhjen e Këshillit Drejtues se kryetari i Degës nuk do të jetë kandidatë për kryetar të Prizrenit. Këtë e dinë të gjithë anëtarët e Këshillit që kanë qenë prezentë atë natë në Prevallë“.

Këshilli Drejtues i Degës së PDK-së në Prizren, ka shtyrë zgjedhjet për Kryesi dhe kryetar të ri. Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi ka kërkuar që numri i anëtarëve nga 71 të rritet 101 anëtarë.

Kandidatë për kryetar të Degës së PDK-së në Prizren, deri më tash janë Ramadan Muja dhe Nait Hasani. Muja nuk e ka shpallur kandidaturën për kryetar të PDK-së në Prizren. Ai në Kuvendin Zgjedhor të PDK-së, ka marrë rreth 30 vota më pak se sa kundërkandidati, Nait Hasani.

Nait Hasani, pasi ka shpallur kandidaturën për kryetar të Degës, ka paralajmëruar se nëse zgjedhet kryetar i partisë, në zgjedhjet lokale që planifikohen të mbahen në fund të këtij viti, do të kandidojë edhe për kryetar të Prizrenit.

Gjithashtu lideri i PDK-së, Hashim Thaçi tashmë është përcaktuar për kandidatin e ardhshëm të PDK-së për kryetar të Prizrenit. “Pas zgjedhjes së Kryesisë dhe kryetarit të Degës së PDK-së, besoj se do të publikohet edhe emri i kandidatit për kryetar të Prizrenit”./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›