E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët, 4 herë më pak makina se vendet e BE-së dhe 4 herë më shumë aksidente

Partia Socialiste në Shqipëri, ka akuzuar qeverinë se ka dështuar me sigurinë rrugore. Deputetja Ermonela Felaj, gjatë një konference shtypi ka thënë se që nga viti 2005, numri i aksidenteve është rritur me 220%. Ajo tha se Shqipëria ka 4 herë më pak automjete se vendet e BE-së, por numri i aksidenteve është 4 herë më i lartë se në këto vende.

“Një ndër dështimet më të rënda të tij, me pasoja fatale për jetët e shqiptarëve, ka qenë dështimi me sigurinë rrugore. Rrugët e Shqipërisë nuk kanë qenë kurrë më të pasigurta e më të përgjakura se sa gjatë qeverisjes së Sali Berishës.

Ditë për ditë shohim sesi shteti është dorëzuar turpësisht para bilanceve tragjike me aksidentet rrugore. Qeveria e ka humbur betejën për të ulur numrin skandaloz të aksidenteve dhe shkaqet e tyre.

Në programin e tij Berisha premtoi investime në sinjalistikën rrugore dhe të menaxhimit të transporteve, por mashtroi dhe sot jetojmë situatën më të rëndë që ka pasur ndonjëherë vendi lidhur me sigurinë rrugore.

Sot Shqipëria ka katër herë më pak automjete për 100 mijë banorë sesa të gjitha vendet e Bashkimit Europian edhe të rajonit dhe katër herë më shumë aksidente për 100 mijë banorë.

Nga viti 2005, aksidentet janë rritur me 220%; po ashtu, numri i të dëmtuarve (të vdekur e plagosur) është rritur me 217%”, tha Felaj.

“Sipas saj, Berisha ka mashtruar me premtimin e tij për mirëmbajtjen e rrugëve, ndërsa nuk ka asnjë rrugë të certifikuar sipas standardeve europiane.

Sot në vitin 2013 Shqipëria nuk ka asnjë metër rrugë të certifikuar dhe të plotësuar sipas standardeve europiane, siç i kanë të gjitha vendet e Bashkimit Europian, ose që janë kandidate për në Bashkimin Europian. Rrugët e Shqipërisë, nuk kanë as elementet më minimale të sigurisë.

Në programin për mirëmbajtjen e rrugëve të të gjithë Shqipërisë qeveria e dështuar e Berishës ka vendosur vetëm 13 milionë dollarë, 1.3 milionë dollarë për gjithë veriun dhe 9 mijë dollarë për Rrugën e Kombit, ku sigurisht ka një element të pandashëm, që është dëbora dhe vetëm për shkak të dëborës, mos të llogarisim asgjë tjetër, fondi i mirëmbajtjes duhet të jetë shumë i lartë.

Partia Socialiste është e vetëdijshme se aseti më i madh i vendit tonë janë qytetarët, dhe është mision i qeverisë të garantojë me çdo kusht sigurinë e jetës së tyre.

Në 20 vjet janë shpenzuar miliarda dollarë në infrastrukturë rrugore, por rrugët sot nuk ofrojnë asnjë siguri dhe aq më pak komfort”, u shpreh deputetja socialiste./Indeksonline./

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›