E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhaj: Regjimi i vizave, përmbushje e standardeve të BE-së për lëvizje të lirë

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu, kanë marrë pjesë në prezantimin e fillimit të projektit: “Zhvillimi dhe akordimi i sistemit të vizave të Kosovës”, i financuar nga Qeveria Norvegjeze dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

Gjatë prezantimit, ministri Hoxhaj ka vlerësuar rëndësinë që ka për Republikën e Kosovës procesi i përmbushjes së standardeve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian për lëvizje të lirë të qytetarëve drejt BE-së, sipas kritereve të Kodit Schengen, ku një ndër kriteret e përcaktuara është edhe menaxhimi i kufijve dhe migracionit ilegal.

Duke iu referuar faktit se Qeveria e Republikës së Kosovës nëpërmjet vendimit të saj ka vendosur regjimin e vizave për 87 vende, Hoxhaj tha se në bazë të standardeve të njohura ndërkombëtare të migracionit, vendosja e regjimit të vizave konsiderohet linja e parë e mbrojtjes kundër lëvizjes ndërkombëtare të personave të cilët mund të përfaqësojnë rrezik të sigurisë, ashtu sikurse edhe atë që ka të bëjë me trafikimin e njerëzve apo të dukurive negative.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht Ministria e Punëve të Jashtme ka hyrë në fazën më intensive të implementimit të këtij vendimi me krijimin e Qendrës së Vizave, nëpërmjet së cilës do të bëhet implementimi i një regjimi efikas të vizave”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se kjo paraqet bazën për trajtimin e të huajve në aspektin e vizitorëve, migracionit, studentëve, bashkimin familjar, refugjatëve dhe azilkërkuesve të listuar në vendimin e Qeverisë, për të cilët është vendosur regjimi i vizave nga Republika e Kosovës.

Ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu ka shprehur mbështetjen e fuqishme të aspiratave të Republikës së Kosovës për integrimet euroatlantike nga Norvegjia.

“Norvegjia është pjesë e marrëveshjes së Schengenit dhe ne do të mbështesim Kosovën, që një ditë edhe ju të jeni pjesë e kësaj marrëveshjeje. Në mënyrë që të vijmë deri atje, është e nevojshme që të implementohen disa kritere që janë më shumë të natyrës teknike. Ky projekt do të ndihmoj Republikën e Kosovës të ecën më shpejtë drejt liberalizimit të vizave”, tha ambasadori Braathu, duke shtuar se kontrolli kufitar është një aspekt shumë i rëndësishëm.

Ai po ashtu vlerësoi se ky sistem tashmë është implementuar edhe në shtete tjera duke shprehur bindjen se do të jetë funksional me të gjitha kriteret që dalin nga marrëveshja e Schengenit.

Qeveria e Republikës së Kosovës me Qeverinë e Mbretërisë së Norvegjisë, kanë lidhur marrëveshje prej së cilës Kosova ka përfituar një donacion në vlerë prej dy milionë euro, nëpërmjet së cilës, në bashkëfinancim me Qeverinë e Kosovës, do të bëhet implementimi i Qendrës së Vizave.

Fascilitimi apo menaxhimi i projektit do të bëhet përmes organizatës “International Menagment Group”, e cila në bashkëpunim me përfaqësuesit e MPJ-së do të menaxhojë dhe kryejë të gjitha përgatitjet e nevojshme për implementimin teknik të sistemit të Qendrës së Vizave.

Përveç tjerash tashmë është përzgjedhur ekzekutori teknik i cila do të krijojë, instalojë dhe funksionalizojë sistemin e aplikimit për vizë nëpër misionet diplomatike/konsullore të Republikës së Kosovës deri më 1 korrik 2013, fillimisht në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Stamboll si pilot projekt e më pas edhe në të gjitha përfaqësitë diplomatike/konsullore të Republikës së Kosovës./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›