E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi në Londër, kërkon mbështetjen e Britanisë për MSA-në

PRISHTINË-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një takimi në Londër me Sekretarin e Jashtëm britanik, William Hague, vlerësoi rëndësinë e marrëveshjes historike, Kosovë-Serbi, veçanërisht implementimin e saj sipas kornizës kohore.

Pasi falenderoi zyrtarin e lartë për mbështetjen e vazhdueshme që Britania e Madhe ka dhënë në këtë dialog, kryeministri Thaçi vuri në dukje se marrëveshja Kosovë-Serbi është bërë në funksion të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetëror me Serbinë, por edhe për të avancuar rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit në BE.

Në këtë kuadër, kryeministri kosovar kërkoi mbështetjen e Britanisë për marrjen e pëlqimit nga BE-ja në fund të këtij muaji për nisjen e negociatave për nënshkrim të MSA-së mes Kosovës dhe BE-së.

Gjatë vizitës dy ditore në Londër, kryeministri Thaçi u takua dhe me disa nga anëtarët aktivë të Grupit Gjithëpartiak në Parlamentin Britanik për Kosovën, ku kërkoi mbështetjen e tyre në proceset integruese të Kosovës, si dhe fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›