Thaçi në OKB: Marrëveshja ruan sistemin unik e legal të Kosovës

(E plotësuar) Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka nisur seancën në të cilën është paraqitur raporti tremujor për gjendjen në Kosovë i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon.
Aty po merr pjesë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi sikurse edhe homologu i tij serb, Ivica Daçiq.
Kryeminstri Thaçi ka thënë se marrëveshja e prillit e arritur mes tij dhe kryeministrit serb, Ivica Daçiq konfirmon dhe ruan sistemin unik dhe legal të Kosovës si autoritet të vetëm legal në vend.
Ndërkohë, pasi e vlerësoi si sukses historik marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë, Ban Ki-Moon ftoi dy palët që të hapin kanalet e komunikimit dhe të bëjnë përpjekje për zbatimin e marrëveshjes.
“Ajo është arritje historike. Si rezultat i saj, perspektivat për të kapërcyer trashëgiminë e konfliktit të kaluar dhe për të arritur pajtim, stabilitet dhe prosperitet janë më të mëdha se kurrë”, ka thënë Ban.
-----
Pak pas orës 16 sipas kohës sonë, në New York ka filluar mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kushtuar Kosovës. Në raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun është lavdëruar arritja e marrëveshjes ndërmjet Beogradit e Prishtinës, duke vlerësuar se me të i janë dhënë autorizime të rëndësishme asociacionit të komunave serbe në veri të Kosovës.
Pasi e vlerësoi si sukses historik arritjen e marrëveshjes, Ban ftoi dy palët që të hapin kanalet e komunikimit dhe të bëjnë përpjekje për zbatimin e marrëveshjes.
Në raportin e tij për tremujorin e fundit , ai i bëri një vështrim edhe hetimit për trafikun e organeve, duke vënë në pah se tashti janë duke u mbledhur dhe analizuar informatat e marra nga burimet institucionale.
Kryeministri serb, Ivica Daçiq, duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha se Serbia është fuqimisht e vendosur që t’i vë pikë së kaluarës “të cilën nuk mund ta ndryshojë”, por mund të ndikojë në të ardhmen. Ai përkujtoi që Prishtina dhe Beogradi pas 11 rundeve ë bisedimeve kanë arritur marrëveshje historike, por shtoi se dy palët i pret në të ardhmen edhe marrëveshja për “statusin e Kishës Serbe, çështjen e kthimit të të zhvendosurve dhe pasurisë”.
Daçiq tha se marrëveshja e parë ndërmjet dy vendeve parasheh formimin e bashkësisë së komunave me popullatë shumicë serbe. “Në atë territor do të kihet kujdes sa i përket strukturës etnike në ushtri, polici dhe organet e tjera të pushtetit”, tha Daçiq.
Kryeministri serb tregoi se më herët serbët kanë banuar në 427 vendbanime, ndërsa tashti nga to 311 vendbanime janë etnikisht të spastruara. “Të kthyerit marrin vetëm mbështetje deklarative për kthim, por e tëra përfundon me kaq”, tha ai.
Daçiq tha se qeveria e tij nuk ka besim në privatizimin që po e zbatojnë autoritetet e Kosovës, duke shtuar se Serbia me dekada ka investuar në ndërmarrjet në Kosovë dhe se në privatizimet që tashti po bëhen nuk po respektohen të drejtat e punëtorëve që kanë punuar në ato ndërmarrje, kurse tashti janë të zhvendosur në Serbi. Në fund të fjalës së tij, ai ftoi autoritetet kosovare që bashkërisht të kërkojnë zgjidhje që do të jenë në interes të të dy popujve në Kosovë./Indeksonline/